Altin Çoku, personi që akuzohet se shantazhoi me foto intime 27-vjeçaren Sibela Abedini, ka dalë këtë të enjte përpara gjykatës.

Prokuroria ka kërkuar ndaj Çokut masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale të “Shkaktimit të vetëvrasjes”.

Teksa u pyet se kush është personi që ka shpërndarë foton intime të 27-vjeçares, Çoku mohon ta ketë bërë ai. Ai deklaron se për të kuptuar kush e ka nxjerrë foton duhen parë mesazhet te telefoni i të ndjerës.

“E kanë nxjerrë shtetas të tjerë foton. Keni mesazhet në telefonin e vajzës. I shpreh ngushëllimet e mia familjes”, tha Çoku teksa u pyet nga gazetarët në gjykatë se kush ishte personi që nxori foton intime të 27-vjeçares që u vetëvra.

Altin Çoku u arrestua nga policia me akuzën se ka shtyrë drejt vetëvrasjes 27-vjeçaren që u hodh nga pallati në Kamëz. 39-vjeçari rezulton një emër i njohur për policinë, në një tjetër rast të dyshuar shantazhi me foto intime ndaj një vajze në Laç.

Çoku është i njohur nga përdoruesit e Tik Tok për videot e tij me gjuhë të denigruese, ku në komunikimet live që ai bën me personazhet e këtij rrjeti, shan dhe përdor fjalor të papërshtatshëm për njerëz të ndryshëm.

Ai tashmë ka rënë në prangat e bluve të kryeqytetit për shkak të shantazheve të vazhdueshme ndaj 27-vjeçares, e cila nga presioni publikimit të fotos intime ka kryer vetëvrasje duke u vetëhedhur nga kati i katërt i banesës ku ajo jetonte.