Ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Vangjel Tavo, ka reguar sa i takon zërave se  kryeministri Edi Rama, i ka propozuar atij që të bëhet kryebashkiak i Himarës, ndërkohë që Fredi Beleri ndodhet në paraburgim.

I pyetur për këtë çështje,  ish-deputeti i Qarkut Gjirokastër, Vangjel Tavo, as e ka mohuar dhe as e ka pranuar se është kontaktuar nga kryeministri Edi Rama, ku sipas mediave greke atij i është propozuar të bëhet kryetar i bashkisë së Himarës.

Sipas Vangjel Tavos, momenti familjar në të cilin ndodhet ka qenë i papërshtatshëm kur pretendohet, se është kontaktuar nga kreu i qeverisë, Edi Rama.

Ndërsa ka theksuar se nuk është në dijeni të asaj çfarë shkruajnë mediat greke.

Kujtojmë se sa i përket këtyre zërave, gazeta e njohur greke “Ekathimerini” shkruante se kryeministri Edi Rama i ka propozuar ish-deputetit Vangjel Tavo që të bëhet kryebashkiak i Himarës, ndërkohë që Fredi Beleri ndodhet në paraburgim me akuzën për blerjen e votave më 14 maj dhe derisa të zgjidhet çështja e këtij të fundit, si një mënyrë për të zgjidhur krizën me Athinën.

Sipas medias greke, Rama është takuar në një nga kafenetë e Tiranës me Vangjel Tavon të cilit i ka kërkuar që të bëhet kryebashkiak i Himarës.

Ndërsa ky i fundit ia ka bërë të qartë Ramës se do ta pranonte vetëm në rast se do të pranohej nga pala greke.