Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka depozituar rekursin në Gjykatën e Posaçme të Apelit për pezullimin e dënimit me burg. Sipas Tahirit, vendimi i Apelit është marrë në kundërshtim me ligjin.

“Pezulloni vendimin, është kundër interesave te mia! Gjykata nuk ka vepruar drejt sepse më ka dënuar jashte kompetencave te saj”, thuhet në rekursin e Tahirit. Apeli i Posaçëm vendosi që të rregjistrojë rekursin e dorëzuar nga Tahiri.

Më 22 Prill, Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri bëri kërkesë në Gjykatën e Posaçme për pezullimin e dënimit me burg. Në një kërkesë të ndarë në 2 faqe, Tahiri pretendoi se vendimi i Gjykatës së Posaçëm të Apelit është marrë në kundërshtim me ligjin dhe në kundërshti me interesën e tij. Ish-ministri pretendonte se në burgun e Fierit, ku edhe vuan dënimin, është i rrezikuar nga subjektet e krimit.

Disa ditë më parë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK ka bërë gjithashtu rekurs në Gjykatën e Lartë për vendimin ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe kërkon që Gjykata e Lartë të marrë parasysh edhe veprën penale: “trafikim në kuadër grupit strukturuar”. SPAK argumenton Tahiri duhet të shpallet fajtor për “përfshirje në grup kriminal” dhe “trafikim droge” duke shtuar se argumentet dhe provat e pranuara nga GJKKO, cilësimi si shpërdorim detyre është i gabuar.

GJKKO e dënoi Saimir Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’, por për shkak se ish-ministri kishte kërkuar aplikimin e procedurës së gjykimit të shkurtuar, iu ul 1/3 e dënimit, e tani Tahirit i duhet që të qëndrojë pas hekurave të burgut në 3 vite e 4 muaj burgim. Tahiri u dënua vetëm për “Shpërdorim detyre” duke i ‘shpëtuar’ akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.