Shqiptarët, në Shqipëri dhe Kosovë, janë populli që pijnë më pakë në Evropë. Ky është rezultati i një studimi të fundit të Eurostat, sipas të cilit Shqipëria renditet e parafundit në kontinent, duke lënë pas vetëm Turqinë.

Konsumi i pijeve alkoolike sipas fuqisë blerëse në Shqipëri ishte sa 19% i mesatares evropiane, ndërkohë Kosova qëndron vetëm pak sipër Shqipërisë, me 22%.

Në rajonin e Ballkanit Perëndimor më pijedashësit janë malazezët dhe serbët, ndërsa pas tyre radhitet Maqedonia e Veriut. Ndërkohë, në nivele të ngjashëm me Shqipërinë është Bosnje-Hercegovina.

Teksa konsumi është i ulët, çmimet e pijeve alkoolike në Shqipëri janë sa 122% e mesatares evropiane, duke qenë një faktor që mund të ndikojë në stepjen e konsumatorëve. Pijet alkoolike janë më të lirat në Evropë në Maqedoninë e Veriut, me 81% të mesatares evropiane dhe më të shtrenjtat në Suedi, me 219% të mesatares evropiane.

Shpenzimi nominal për frymë për pije alkoolike në Shqipëri në 2021-n ishte 86 euro, përkundrejt 286 euro që është mesatarja e Bashkimit Evropian.