Sot është dita ndërkombëtare e fëmijëve. Kjo ditë është një festë e madhe e dedikuar tërësisht buzëqeshjeve dhe lumturisë së vogëlushëve kudo në botë por edhe në një ditë sensibilizimi, për t’i thënë jo dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve.

1 qershori e ka origjinën nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina. Dita e fëmijëve u vendos në datën 1 qershor, sepse në këtë datë është mbajtur Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve në Gjenevë, në vitin 1925. Në të njëjtën ditë, përkoi që konsulli i përgjithshëm kinez në San Francisko mblodhi së bashku një numër të konsiderueshëm fëmijësh jetim kinezë të celebronin në festivalin e “Anijes së Dragoit”.

Dy vjet më pas Festa e 1 qershorit filloi të festohet në të gjithë botën. Vendet të cilat e festojnë Ditën Botërore të Fëmijëve më datën 20 nëntor e bëjnë këtë në përkujtim të Deklaratës për të Drejtat e Fëmijëve miratuar nga ana e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 20 nëntor të vitit 1959.

Në Shqipëri, Kosovë dhe mbarë botën, kjo ditë u kushtohet fëmijëve, me organizime dhe aktivitete të larmishme. Shumë vende të botës e kanë pranuar atë si festën ndërkombëtare të fëmijëve dhe realizojnë festime të cilat kanë si qëllim të rrisin vëmendjen në drejtim të mirëqenies së tyre.