Ilia dhe Marko Koka denoncuan kohë më parë në “Stop” se si kushëriri i tyre, Elidon Gjikoka, i cili u kishte marrë me qira pronën dhe disa objekte turistike buzë detit në Dhërmi, e grabiti atë me dokumente të falsifikuara dhe me ryshfet.
E gjithë procedura u bë në Vlorë dhe konfirmimi përfundimtar u mor nga Tirana. Disa ditë pasi “Stop” transmetoi këtë rast, njëri nga vëllezërit Koka, Markoja, ndërroi jetë.
“Burri im ha dhe, nga cështja e tij. Më tha, ma la amanet, unë e hapa gjyqit o grua, unë do ndërroj jetë nuk jam më për këtu, por ti do e ndjekësh bashkë me vëllain tim derisa të marrësh pronën në dorëzim… pronën tonë”, është shprehur gruaja e së ndjerës.
Në Prokurorinë e Tiranës u regjistrua procedimi penal për Elidon Gjikokën, i cili u shpall në kërkim ndërkombëtar dhe sipas informacioneve, ndodhet në Angli me familjen e tij.
Për këtë çështje hetoi paralelisht edhe prokuroria e Vlorës. Prokurori Ervin Karanxha paralajmëroi, se shumë shpejt do të kishte rezultate konkrete mbi të gjithë personat e përfshirë në tjetërsimin e pronës.
Në seancën paraprake, gjyqtari Enkel Peza hoqi përgjegjësitë penale për të gjithë ata, që çuan dy prokuroritë.
Prokurori i Vlorës, Albert Kuliqi, ka favorizuar të akuzuarit, që vetë ai kishte dërguar në gjykatë si të pandehur, duke mos e apeluar vendimin e gjyqtarit Peza.
“Çuditërisht në proces gjyqësor, prokurori ka hequr dorë nga akuza që ishte ngritur nga Prokuroria Tiranë që kishte të bënte me veprën penale të vjedhjes me anë të mashtrimit. Që këtu kemi dyshime të rënda për veprime korruptive në këtë rast”, tha avokati Arben Llangozi.
Me lehtësimin e situatës, si për t’i vënë kapakun dosjes edhe Apeli Vlorë, gjyqtari Laurent Fuçia, ka zëvendësuar pa asnjë lloj argumenti ligjor, masën e arrestit të shtëpisë në detyrim paraqitjeje për Elidon Gjikokën.
“Në Gjykatën e Apelit, gjyqtari Laurent Fuçia i ka zëvendësuar masën shtetasit Elidon Gjikoka, rreth 2 muaj pas zbatimit të masës së parë, nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje, pa asnjë lloj shkaku, pa asnjë lloj motivi. Ky është një tjetër veprim kriminal i kryer nga ky gjyqtar. Elidon Gjikoka ka vjedhur pronën dhe po e mban këtë pronë me veprime korruptive. Janë një sërë aktorësh që janë në Gjykatën e Vlorës që kanë kryer veprime kriminale. Janë bërë bashkë me hajdutin Elidon Gjikoka”, tha avokati Llangozi.
Për të kaluar në emrin e tij kompleksin me 12 shtëpi private mbi sipërfaqen 1430 m2, Helidon Gjikoka ka bashkëpunuar me avokatin Artion Kasaj, si dhe me 8 zyrtarë të legalizimeve dhe kadastrës, që të gjithë të pandehur për shpërdorim detyre, falsifikime dhe mashtrim me pasoja të rënda.
Grabitja e kompleksit
Në vitin 2020, Ilir Koka është paraqitur në Prokurorinë e Tiranës ku ka denoncuar përvetësimin e pronës së tij, kompleksit me 12 shtëpi private mbi sipërfaqen 1430 m2 në Dhërmi, nga Helidon Gjikoka.
Në vitin 2009, Ilir Koka, meqenëse ndodhej në jashtë vendit, ka autorizuar Helidon Gjikokën që të ndiqte punimet për ndërtimin e kompleksit dhe të kryente veprime të tjera, por në asnjë rast nuk i ka dhënë të drejtën t’i tjetërsonte pasurinë. Shtëpitë private po i ndërtonte në pronën që ia kishte lënë trashëgim babai.
Pas hetimeve të thelluara dhe intensive, Prokurori Ervin Karanxha ka konstatuar se Helidon Gjikoka, në vitin 2017, kishte kërkuar legalizimin e pasurisë së tjetrit në emrin e tij, ndërsa në vitin 2018, pra një vit më pas, Gjikoka e kishte marrë me qira të njëjtën pasuri tek pronari Ilir Koka.
Ky fakt, sipas Prokurorisë, tregon se Ilir Koka ka qenë pronar i kompleksit, por prona i është vjedhur përmes falsifikimeve nga Helidon Gjikoka në bashkëpunim me avokatit Artion Kasaj, që vepronte në emër të Ilir Kokës.
Nëse prona do të ishte e Gjikokës, ky i fundit nuk kishte pse t’ia merrte me qira Kokës.
Ndërsa Ilir Koka ishte në Greqi, prona e tij, që nga data 28 janar 2019 ka kaluar në emrin e Helidon Gjikokës. Po si arriti Helidon Gjikoka të bëhej pronar i kompleksit turistik të Ilir Kokës?
Në vitin 2009, Ilir Koka, meqenëse ndodhej në Greqi, ka autorizuar me prokurë Helidon Gjikokën, të cilin e kishte djalë halle, për të ndërtuar, rrethuar dhe administruar kompleksin “Ambel Beach”, në pronën e tij që i kishte lënë trashëgim babai.
Gjikoka i jepte me qira 12 shtëpitë gjatë sezonit turistik, duke i dhënë një tarifë Kokës.
Nga shtatori 2017, Ilir Koka ka autorizuar avokatin Ariton Kasajn, për të përfaqësuar interesat e tij me të tretët.
Në vijim, avokati Ariton Kasaj ka kryer veprime juridike me Helidon Gjikokën, në emër të Ilir Kokës, sipas prokurorisë, në kundërshtim me vullnetin e Kokës.
Në dosje thuhet se Helidon Gjikoka, në bashkëpunim me avokatin Ariton Kasaj, ka falsifikuar të dhënat e formularit të legalizimit, me qëllim për të marrë pronën e Ilir Kokës.
Nga hetimi ka rezultuar, se Gjikoka ka gjetur momentin që Iliri ka qenë me probleme dhe ka vepruar më pas në fshehtësi, për të marrë pronën e Ilirit nëpërmjet falsifikimit të formularëve të legalizimit.
Më pas, edhe kontratën e energjisë elektrike, Gjikoka e ka kaluar në emrin e tij.
Një vit pas aplikimit për legalizimin e pronës së Ilir Kokës, me formular të falsifikuar dhe në emër të Adiseldo Rrapaj, në 20 shtator të vitit 2018, shefi i legalizimeve Adiseldo Rrapaj, ka miratuar legalizimin në emër të Gjikokës, edhe pse ishte në dijeni se prona i përkiste Ilir Kokës.
Punonjësi Ardian Musta ka shqyrtuar praktikën e legalizimit të pasurisë, edhe pjesë është njohur me lejen e ndërtimit të vitit 2010, që ishte në emrin e Ilir Kokës.
Pjesë e skemës janë bërë edhe punonjësit Erdet Mandi, Arber Jaupaj dhe Denis Metaj, të cilët kanë pasqyruar të dhëna të rreme në aktet e përpiluara nga ana e tyre, në funksion të vjedhjes së pronës nga Helidon Gjikoka.
Në dosje del në pah edhe roli i Jonida Hallvaxhiut dhe Enida Bukuroshit, juriste pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Tiranë, të cilat kanë rrëzuar ankimin e pronarit të grabitur, i cili kundërshtonte kalimin e pronës së tij në emër të Gjikolës.
Ankimimi është rrëzua për shkak të tejkalimit të afatit, por sipas prokurorisë, dy juristet duhet të kallëzonin krimin e vjedhjes së pronës nga Helidon Gjikoka.