Instituti i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se janë konfirmuar 10 raste me fruth në vendin tonë.

Mësohet se 6 prej këtyre rasteve kanë lidhje familjare dhe janë të pavaksinuar. Po ashtu, bëhet e ditur se të infektuarit janë fëmijë të moshës nga 1 deri në 9 vjeç.

Këto raste janë të konfirmuara në qytetin e Tiranës dhe në Durrës. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, por edhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vaksinimi ndaj fruthit ka pësuar një rënie të ndjeshme që pas pandemisë së koronavirusit. Mësohet se vetëm në Tiranë, vitet e fundit, llogariten rreth 13 mijë fëmijë të moshës 0-5 vjeç të pavaksinuar.

Fruthi është sëmundje virale shumë ngjitëse dhe e rëndë, që shkaktohet nga një virus i familjes Paramyxoviridae. Përhapet kryesisht përmes ajrit, spërklave dhe përmes kontaktit të drejtpërdrejtë. Virusi infekton traktin respirator dhe pastaj përhapet në organizëm.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, sipas një raporti të fundit, thotë se ka një rritje alarmante 30-fish të rasteve të fruthit në Evropë gjatë vitit 2023. OBSH-ja paralajmëron se rastet janë në rritje dhe nevojiten masa urgjente për të parandaluar përhapjen e mëtejshme.

“Më shumë se 30.000 njerëz u infektuan në 2023, krahasuar me 941 gjatë gjithë vitit 2022”, sipas raportit më të fundit, raporton BBC. OBSH-ja beson se këto shifra kanë ardhur si rezultat i më pak fëmijëve që janë vaksinuar kundër sëmundjes, gjatë pandemisë Covid.