Pensionistët në Kosovë do të marrin 100 euro shtesë pensionit, si pjesë e shpërblimit të fundvitit nga qeveria. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri, Albin Kurti, i cili theksoi se synohet që me këtë shpërblim të moshuarit të mund të festojnë festat e fundvitit.

“Që në këtë vit nuk kemi harruar as pensionistët tanë, po ashtu do të përkujdesemi me një vendim tjetër. Prandaj, për të gjithë pensionistët, këtë fundvit, me qëllim të lehtësimit të kostos së jetesës, për këtë kategori të cenueshme, do të miratojmë shtesën e njëhershme prej 100 euro, përvec pensionit të rregullt mujor që marrin”, tha Kurti.

Qeveria e Kosovës gjithashtu pritet të miratojë edhe një tjetër fond, nga i cili çdo fëmijë në Kosovë, pa dallim, do të përfitojë 100 euro bonus.

“Kam kënaqësinë që sot do të miratojmë një vendim i cili përmbushë një premtim tonin të radhës. Është fjala për subvencionimin e të gjithë fëmijëve, bazuar në të ardhurat e familjes. Kemi premtuar që çdo vit, secili fëmijë do të përfitojë 50, 100 apo 150 euro, varësisht nga të ardhurat e prindërve. Sivjet kemi vendosur që të gjithë fëmijët, pa dallim, të fitojnë nga skema dhe shuma të jetë 100 euro. Planifikojmë që kjo skemë të sofistikohet edhe më tutje, duke filluar zbatimin e deklarimit të të ardhurave vjetore nga të gjithë prindërit përfitues, ashtu që të ketë edhe dallim në mbështetje. Për ata që kanë më pak të ardhura, natyrisht se përfitojnë më shumë”, shtoi kryeministri Kurti.