57 vjeçari i  cili i shiti një shtetasjeje një armë zjarri kallashnikov, të cilën e mbante pa leje, është arrestuar mbrëmjen e sotme nga Policia e Durrësit.

Arrestimi i shtetasit M. N., 57 vjeç u bë menjeherë pas denoncimit në emisionin investigativ “Fiks Fare”.  Uniformat blu sekuestruan armën e zjarrit dhe municionin luftarak  që zotëronte 57 vjeçari.

Njoftimi i Policisë:

I shiti një shtetaseje, një armë zjarri kallashnikov, të cilën e mbante pa leje, vihet në pranga 57-vjeçari dhe sekuestrohet arma e zjarrit.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, menjëherë pas denoncimit të bërë nga gazetarët e emisionit investigativ “Fiks Fare”, arrestuan shtetasin M. N., 57 vjeç, banues në Shënavlash, Durrës.

Arma e zjarrit dhe municioni luftarak u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Trafikimi i armëve dhe municionit”.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës falënderon gazetarët e emisionit “Fiks Fare” për bashkëpunimin dhe i fton qytetarët e mediat që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin 112, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm.