Finalizohet operacioni policor i koduar “Parts 8”, nga Komisariati i Policisë Himarë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë.
Shiste doza të lëndës narkotike kokainë në një tabakino dhe mbante me vete mjet prerës (thikë), vihet në pranga një 33-vjeçar.
Procedohet penalisht pronari i tabakinos, pasi e kishte punësuar 33-vjeçarin në mënyrë të paligjshme dhe tregtonte në subjektin e tij, mallra të dyshuara të kontrabanduara.
Sekuestrohen doza kokaine, një mjet prerës thikë, paketa me cigare pa pullë fiskale, si dhe një shumë parash në euro dhe lekë.
Komisariati i Policisë Himarë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, ka organizuar dhe finalizuar operacionin “Parts 8”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:
-F. Gj., 33 vjeç, banues në Dhërmi, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftota”.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. A., 53 vjeç, banues në Dhërmi, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Punësimi i paligjshëm”.
Në subjektin “Tabacchino” me pronar shtetasin A. A., në Dhërmi, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll fizik ndaj shtetasit F. Gj., i cili ishte i punësuar në mënyrë të paligjshme, në këtë subjekt. Atij i janë gjetur dhe sekuestruar doza me lëndë narkotike kokainë gati për shitje dhe një mjet prerës thikë. Gjithashtu, gjatë kontrollit të subjektit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 18 paketa me cigare pa pullë fiskale, 3 650 euro dhe 154 200 lekë të rinj.
Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se shtetasi F. Gj., pasi siguronte lëndën narkotike kokainë, e ndante atë në doza dhe i shiste ato në subjektin ku ishte i punësuar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.