Me debate ka nisur sot seanca plenare mes kreut të Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla dhe deputetit demokrat, Tritan Shehu.

Balla është shprehur se qeveria e Berishës bashkë me Ilir Metën votuan rezolutën e Dick Marty dhe deri më tani nuk kanë dhënë asnjë sqarim edhe për financimet ruse.

Nuk mungoi edhe një reagim nga Shehu, i cili nënvizoi se po tentonet që t’u mbyllet goja deputetëve të opozitës që të mos ngrihet çështja e gjenocidit serb që ndodhi në Kososvë.

Ai tha se qeveria ka hall se mos mërzitet Aleksandër Vuçiç.

Debati:

Balla: Është fakt, Tritan, që Partia Demokratike në pushtet bashkë me LSI e Ilir Metës, më 25 janar të 2011, 4 ditë pasi vratë popullin opozitar, keni shkuar dhe keni votuar një rezolutë. Si ka mundësi Tritan, që PD ende nuk sqaron këtë rrjedhë logjike, nga propozimi rus tek vota juaj dhe më pas tek 600 mijë euro në llogarinë e PD-së. Nuk ka Kuvendi i Shqipërisë asnjë detyrë tjetër sesa të zhbëjë atë tradhti që i ke bërë ti. Ti ishe deri në 2009 se të hoqën, por Saliu në radhë të parë të vijë këtu dhe të japë llogari. Lufta e UÇK-së është një luftë e pastër.

Shehu: Nuk mund të fshihet e vërteta me mjegullnaja për t’i mbyllur gojën këtij parlamenti. Kjo gjë bëhet për një arsye të vetme se na zemërohet Vuçiç, por të ngremë çështjen e gjenocidit serb në Kosovë. Kjo procedurë është ndaluar në mënyrë arbitrare për një kohë. Të gjithë deputetët këtu duhet ta ndjejnë veten të ofenduar, por tentojnë të na mbyllin gojën.