Gjykata e Sarandës ka liruar një tjetër të arrestuar nga strukturat e ASHK-së që u arrestua me urdhër të Prokurorisë në kuadër të operacioneve të lidhura me tokat dhe ndërtimet në qytetin bregdetar.
Ka qenë përgjegjësi i sektorit të Hartografisë në ASHK Sarandë, Vasil Lango, ai që ka lënë qelitë e paraburgimit pas vendimit të gjyqtarit Fatmir Ndreu për t’i ndryshuar masën e sigurisë nga “Arrest në burg” në “Arrest në shtëpi”.
Tashmë nga 4 të arrestuarit e operacionit “Heshtja 2”, të finalizuar me urdhër të Prokurorisë së Sarandës në 24 mars të këtij viti pas denoncimit të Ministrit Ulsi Manja, në burg ka ngelur vetëm hartografi Saimir Braho.
Tre të arrestuarit e tjerë Andri Dhima, Vasil Lango dhe Erliton Ymeri janë liruar me vendime të gjyqtarit Fatmir Ndreu dhe Gjykatës së Apelit Gjirokastër.
Madje në total, nga 19 urdhër-arreste të nxjerra në tre raste nga Prokuroria e Sarandës dhe në një rast nga SPAK lidhur me tokat dhe ndërtimet në Sarandë, kanë mbetur në “arrest me burg” 3 persona, 2 prej tyre janë me masën e sigurisë “arrest në burg me afat 45 ditë”, afat ky që mbaron për 1 javë, 7 janë në “arrest në shtëpi” të liruar nga Gjykata e Sarandës dhe Apelit si dhe 7 janë ende persona në kërkim.
Gjykata duket se ka sfumuar kështu operacionet e Prokurorisë së Sarandës dhe SPAK, të cilët brenda 5 muajve nxorën 19 urdhër arreste me masë “arrest në burg”.