Gjykata për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar po zhvillon seancën paraprake për ish-drejtoreshën e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato, ndaj së cilës janë ngritur katër akuza.

GJKKO do të njihet me materialet e Prokurorisë dhe pretendimet e palës mbrojtëse dhe më pas do të vendosë nëse do e kalojë çështjen për gjykim apo do ia rikthejë edhe njëherë Prokurorisë për të plotësuar hetimet.

Sonila Qato dyshohet se ka shpërdoruar detyrën në lidhje me aksin rrugor Kardhiq-Delvinë, ndërsa vetëm pak javë më parë 10 persona u morën nën hetim nga SPAK, mes tyre ish-drejtuesja e Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Prokuroria e Posaçme ka gjetur elementë të veprës penale “Shpërdorim detyre”, “Shkeljes së barazisë në tendera”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa hetimi vijon për lotin e 7-të të rrugës Kardhiq-Delvinë me vlerë gati 60 milionë euro.

Fillimisht ishte Kontrolli i Lartë i Shtetit që zbuloi shkeljet dhe referoi materialet.

Të pandehur lidhur me këtë rast janë Sonila Qato, Elona Gogo, Simon Prendi, Arbër Troka, Ariana Hasani, Erdit Salillari dhe Almir Hoxhaj. Ndërkohë nën hetim janë edhe Nikollaq Mihali, Miranda Shkurti, Admir Pahumi.