Këshilli i Ministrave miratoi më 19 korrik ndryshimet në projektligjin për lojrwat e fatit sipas të cilit parashikohet që aktiviteti i lotarive sportive nuk do të jetë më në pika fizike të lotove, por vetëm online.

Bastet online do të luhen nëpërmjet telefonave, tabletëve, Ipadëve, laptopëve, por pa u kufizuar vetëm në to. Gjithashtu mundo të luhen në faqet zyrtare të internetit, aplikacionet e subjekteve të licencuara për ushtrimin e aktivitetit “baste sportive online”. Këto plataforma do të autorizohen nga Komisioni i Licencimit, që do të ngrihet në Autoritetin e Mbikëqyrjes së Lojërave të fatit, (AMFL).

Në projektligjin e ri licenca e ofrimit të basteve online do të jetë e kufizuar. Në të gjithë vendin nuk do të jepen më shumë se 10 licenca.
Subjekti aplikues ose, të paktën, njëri prej aksionarëve të tij të ketë përvojë në fushën e lojërave të fatit në jo më pak se 3 shtete të BE/OECD dhe për jo më pak se 3 vjet. Gjithashtu duhet të ketë gjeneruar në vitin e fundit financiar të paktën 2 000 000 000 (dy miliardë) lekë xhiro nga aktiviteti në fushën e lojërave të fatit.

Gjithashtu duhet të jetë shoqëri aksionere me seli në territorin e Shqipërisë dhe të jetë i regjistruar në QKB, në objektin e veprimtarisë për lojëra fati në kategorinë “Baste sportive on-line”. Sistemi ku do të zhvillohen lojërat “bastet sportive on-line duhet të operojë mbi një server të monitorueshëm online nga AMLF-ja.