Të dhënat nga “Instituti i Statistikave” tregojnë se përgjatë tremujorit të dytë të këtij viti numri i lindjeve ka tejkaluar numrin e vdekjeve me 468 lindje më shumë. Ky trend pozitiv i shtesës natyrore vjen pas dy tremujorëve gjatë të cilëve numri i vdekjeve prevalonte ndaj numrit të lindjeve. Por pavarësisht kësaj, shifrat tregojnë se numri i lindjeve për tremujorin e dytë është 5,384 duke shënuar një rënie me 14.8%, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2021 dhe një rënie prej 11.1%, krahasuar me tremujorin e parë të vitit paraardhës. Referuar edhe të dhënave grafike, numri i lindjeve ka prekur nivelin më të ulët në terma tremujorësh që nga tremujori i parë i vitit 2018-të, i cili regjistronte 6,657 lindje.
Megjithatë, pozitiv është fakti se nga ana tjetër me të njetin ndryshim paraqitet edhe numri i vdekjeve. Vdekjet regjistrohen në 4,916 gjatë tremujorit të dytë të vitit 2022 dhe kanë shënuar rënie me 19.4% krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë, por rënie regjistron edhe karahasuar me tremujorin paraardhës me 38.1%. Por si paraqitet trendi i vdekjeve që nga tremujori i parë i vitit 2018-të? Nga analiza e të dhënave tregohet se tremujori i dytë i vitit 2022 regjistron nivelin më të ulët që nga vitit 2018-të, duke tejkaluar kështu edhe periudhën para pandemisë.
“Scan Intel” i ka analizuar treguesit e mësipërm sipas qarqeve nga ku rezulton se numri i lindjeve regjistrohet me rënie pothuaj në të gjithë qarqet e vendit me përjashtim të Dibrës dhe të Kukësit, krahasuar me tremujorin e parë të po këtij viti. Rënia më e lartë e numrit të lindjeve regjistrohet në Vlorë me 27.1% më pak se gjatë tremujorit të parë të vitit aktual. Vlora ndiqet nga Gjirokastra me 19.8% dhe nga Lezha me 17.5%. Sa i përket dy qarqeve të vetme me rritje të numrit të lindjeve, rritja regjistrohet në 4.3% për Dibrën dhe 1.6% për Kukësin. Ky trend negativ i numrit të lindjeve vihet re në të gjitha qarqet edhe nëse analizën do ta shtrinim në kohë. Kështu, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2018-të të gjitha qarqet kanë pësuar rënie të numrit të lindjeve, ndërkohë që gjithsej ka rënë me 19%. Qarqet me rënien më të lartë janë Vlora, Elbasani, Fieri dhe Gjirokastra.
Sa i përket vdekjeve regjistrohet rënie në të gjitha qarqet krahasuar me tremujorin paraardhës. Sipas shifarve rënien më të lartë të numrit të vdekjeve e regjistron Vlora me 44%, ndjekur nga Tirana me 43.8% dhe Lezha me 43.6%. Nëse do të flisnim për shtesën natyrore sipas qarqeve, të dhënat tregojnë se numri më i madh i qarqeve regjistron shtesë natyrore negative. Në qarqe si Elbasani, Fieri, Shkodra, Korça, Vlora, Berati dhe Gjirkostra numri i vdekjeve ka tejkaluar lindjet. Korça regjistron raportin më negativ me 193 vdekje më shumë se lindje. Ndër qarqet që kanë regjistuar raport pozitiv, Tirana regjistron 821 lindje më shumë se vdekje.