Ndotja e rrugës në aksin Kardhiq-Delvinë ka sjellë reagimin e ashpër nga kryeministri Edi Rama.
Në një postim në rrjete sociale, ai ka ndarë pamje të rrugës së ndotur nga mbeturinat duke i tërhequr vëmendje qytetarëve.
Ndërsa falenderon Bashkinë e Gjirokastrës me kryetar Flamur Golemin, dhe ARRSH me drejtor Andi Shkurten për pastrimin e saj, Rama bën me dije se individët që ndotin rrugët, do të ndëshkohen nga një paketë ligjore që do të hyjë në fuqi brenda afatit të fillimit të vitit të ardhshëm.
“Rrugët e reja janë për të shkurtuar distancat, jo për t’u kthyer në vendhedhje plehrash.
Faleminderit Bashkisë Gjirokastër dhe ARRSH që u angazhuan në pastrimin e aksit Kardhiq-Delvinë që çdo ditë frekuentohet nga mijëra turistë.
Dhe në këtë kthesë të madhe historike për turizmin e për ekonominë shqiptare, ne s’do të lejojmë që sjellja e egër e një pakice individësh të pacipë, të dëmtojë Shqipërinë e rilindur turistike! Një paketë e re ndëshkimesh drastike ligjore për hedhësit e plehrave rrugëve, do të hyjë në fuqi maksimumi fillimvitin e ardhshëm”, shkruan Rama në fb.