Një Akt-Normativ me fuqinë e menjëhershme të ligjit për përballimin e krizës energjitike dhe rritjen e çmimeve të naftës apo produkteve të tjera, do të përcaktojë që nesër kuadrin e detyrimeve dhe të drejtave të kufizuara të furnizuesve të karburantit.

Lajmi është dhënë nga kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me furnizuesit e naftës, ndërsa ka shtuar se akti normativ do të jetë në fuqi për një afat dymujor të rinovueshëm sipas dinamikës së luftës.

Sipas Ramës, situata e jashtëzakonshme imponon ndërhyrjen e drejtëpërdrejtë të qeverisë për ngrirjen e marzheve të fitimit si edhe transparencën e çmimit, prandaj ngrihet menjëherë Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburantit.

“Ky takim nuk do kishte ndodhur nëse nuk do kishte luftë. Që të ndërhy në çështjen e çmimeve, por sot është shumë e qartë për të gjithë dhe insistoj që ne mund të jemi të ndarë në opinione , por të bashkuar në fakte. Edhe vendi ynë po përballet me pasoja. Është një luftë që nuk e kemi nisur ne dhe as nuk e ndalojmë ne dhe nuk e dimë sa do zgjas. Lufta ka ardhur në Shqipëri me faturën e çmimit të energjisë dhe të naftës dhe me ndikim në çmimet e tjera. Është fakt ky. Rritja e çmimeve filloi t’i jepte shenjat e para në gjysmën e dytë të viti të shkuar në të gjithë botën.”

“Më e rënda është kriza e energjisë që po konsiderohet si pandemia e re. Kjo qeveri e ka deklaruar dhe do e përsëris, se jemi përballë një krize dhe jemi në zemrën e krizës dhe se ne do mburoj konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla për të mos lejuar goditjen. Do na duhet 640 milion dollar ekstra deri në fund të vitit. Është një eurobond për të mbrojtur familjarët dhe biznesin e vogël.” tha Rama.