Partia Socialiste do të mbledhë Kongresin e saj në fund të janarit për t’i dhënë një start të ri aktivitetit të saj politik. Vendimi u mor dje në mbledhjen e Kryesisë, të drejtuar nga Kryeministri Rama, ndërsa u prezantua edhe drafti me propozimet e reja në Statutin e PS-së.

Sekretari i përgjithshëm, në 100 ditët e para në këtë detyrë kishte premtuar se do të sillte një draft më të thjeshtë dhe më funksional të Statutit.

Propozimi i ri ka të bëjë me një strukturë të re organizative në çdo degë socialiste në nivel bashkie. Qëllimi i këtij propozimi, mesa duket, ka të bëjë me riorganizimin e plotë të makinerisë elektorale të PS-së në funksion të zgjedhjeve të ardhshme vendore dhe parlamentare.

Gjiknuri ka propozuar ngritjen e sekretariatit ekzekutiv në nivel bashkie, një forum i barasvlershëm me sekretariatin qendror, por që do të ketë detyra të ndara organizative me kryetarin e degës apo strukturat e tjera në këtë parti.