Protesta e ditës së sotme organizuar nga banorët e “5 Majit”, Laprakës dhe Kombinatit, në Tiranë dukshëm nuk ka pasur dallim moshe. Një 6-vjeçar teksa proteston kundër shembjes së shtëpisë së tij, i bën thirrje kryeministrit Rama që të mos i prish shtëpinë, të cilën familja e tij mezi e ka ndërtuar.

“O xhaxhi Edi, mos na i prish shtëpitë, të lutem o xhaxhi Edi. Xhaxhi di mos na i prish shtëpia të lutem shumë ne mezi i kemi bërë, s’kemi më shtëpi të tjera”, tha ai.

Por David Marku, vetëm 6 vjeç, thirrjet nuk i adresoi vetëm ndaj organeve kompetente, por dhe ndaj qytetarëve, të cilëve iu kërkoi t’i bashkohen protestës së tyre.

“Ne s’kemi më shtëpi të tjera.  Mblidhuni këtu grup, hajdeni shpejt! Të gjithë duhet të flasim diçka. Të thërrasim xhaxhin Edin”, i porosiste 6 vjeçari fëmijët e tjerë në protestë, duke i prekur të gjithë.

Banorët, shtëpitë e të cilëve preken nga projekti i devijuar i Bashkisë Tiranë në kuadër të ‘Rindërtimit’, protestojnë prej muajsh kundër këtij vendimi, ndërsa ditën e sotme kanë paralajmëruar grevë urie.