Licenca iu hoq me kërkesë të Drejtorisë së Parandalim-Pastrimit të Parave, e cila provoi se kjo kompani shtetërore ka kryer transferta e transaksione ilegale brenda e jashtë Shqipërisë. Një muaj para 25 prillit 2021, mafiozi Laert Duraj u dorëhoq si drejtor i “Posta Shqiptare”, mbasi PS e kandidoi për deputet, ndërsa 20 ditë pas zgjedhjes deputet, nga 14 maj-30 korrik 2021, Edi Rama e riktheu përsëri drejtor, megjithëse ishte me mandat. Çfarë letrash “pastroi” në 2 muaj e gjysmë rikthim te Posta, “kambisti” i Olsi Ramës e Gaz Demit dhe ortaku i Henri Çilit?
Nuk dihet ende, nëse miliona Euro që po ndërtohen kullat e resortet, kanë hyrë në Shqipëri e janë qarkulluar brenda saj nëpërmjet Postës Shqiptare, apo milionat e landfilleve të Klodian Zotos e Mirel Mërtirit, që kanë përfunduar në Maltë, Qipro, Bullgari, Zvicër e Hollandë; por para 1 muaji, Banka e Shtetit i ka hequr licencën e aktivitetit të transfertave e transaksioneve.
“Posta Shqiptare Sh.A” e ka filluar aktivitetin jo-bankar në vlera të mëdha financiare, me Licencë nr. 3, datë 18.04.2001, për të bërë transferta e transaksione brenda e jashtë Shqipërisë, por dhe operacione negocimi e këmbimi valutor me Licencë nr. 56, datë 28.08.2002.
Më 8 korrik 2020, me kërkesë të ish-drejtorit Laert Duraj aktualisht deputet i PS, dhe me aprovim të ish- ministres së Financave, Anila Denaj, Banka e Shtetit i dha Postës Shqiptare dhe lejen për aktivitet të parasë elektronike, me të drejtë “Emetim e Qarkullim”.
Licenca është me Nr. 3, Nr. 3182 Referencë, datë 8 korrik 2020, dhe qysh prej asaj date e deri më 30 korrik 2021, ish-drejtori Laert Duraj ka kryer aktivitete financiare jo-bankare, me paranë e zakonshme në lek, valutë e monedhë elektronike.
Por ish-drejtori Laert Duraj, me fuqinë e pushtetit që shkonte deri të mos- kontrolli nga Ministria e Financave dhe nga Banka e Shtetit, i përdori këto dy aktivitete të licencuara jo- bankare, për të qarkulluar, fshehur, “pastruar” dhe transferuar milionat me burim krimin, trafiqet e korrupsionin, duke e kthyer Postën Shqiptare, në “lavatriçe” me logo e mburojë shtetërore.
Sipas burimit nga Ministria e Ekonomi-Financave, pas një raporti të përbashkët me “Nr. 132-022/C-3” të SHISH e Anti- krimit Ekonomiko- Financiar, dërguar Drejtorisë së Parandalim-Pastrimit të Parave, kjo i ka rekomanduar konfidencialisht Guvernatorit Gent Sejko, që Postës Shqiptare t’i bllokohej urgjent aktiviteti jo-bankar, sidomos i parasë elektronike.
Siç duket, krimi financiar me paratë e pista, ka qenë në aq përmasa të mëdha te Posta Shqiptare, sa guvernatori Gent Sejko është detyruar t’ia heq licencën menjëherë; madje i ka kërkuar Ministrisë së Financave si pronare e Postës, të bëjnë hetim administrativ të përbashkët.
Mbasi rezultojnë 300 milionë Euro, që nëpërmjet Postës Shqiptare kanë qarkulluar ilegalisht, jashtë aktivitetit të saj koliposta, pagesa uji, energjie, pensione, pasaporta etj.
Skandal është fakti, se aktiviteti i transfertave financiare mbi 150 mijë Euro, që kryente drejtori Laert Duraj në emër të Postës Shqiptare, nuk janë pasqyruar në librat dhe bilancet e Postës, por nuk janë raportuar as në Bankën e Shtetit për evidencë dhe as në Ministrinë e Financave.
SPAK duhet ta hetojë, sepse heqja e licencës ka lidhje me veprimtari financiare, që sipas DASH e kanë kthyer Shqipërinë në “lavatriçe” për pastrimin e parave të krimit e korrupsionit.
Si pistë hetimi, SPAKU- ut i referojmë dhe këtë këtë fakt: Një muaj para 25 prillit 2021, mafiozi Laert Duraj u hoqi dorë nga detyra si drejtor i “Posta Shqiptare”, mbasi PS e kandidoi për deputet.
Ndërsa 20 ditë pas zgjedhjes deputet, nga 14 maj-30 korrik 2021, Edi Rama, në shkelje të plotë të ligjit e riktheu dhe e emëroi përsëri drejtor Poste, megjithëse ai ishte me mandat deputeti.
– Çfarë letrash “pastroi” Laert Duraj, në 2 muaj e gjysmë rikthim si drejtor Poste, “kambisti” i Olsi Ramës, “bankieri” i oligarkëve e trafikantëve dhe ortaku i Henri Çilit”?
– A ka lidhje shkarkimi i Ervin Bushatit, 5 muaj pas emërimit drejtor Poste, me “pakujdesinë në fshehjen e kësaj dosjeje sekrete”, sidomos të parave elektronike?
Këtyre pyetjeve, do t’i japim përgjigje në vijim, dhe do publikojmë një skandal financiar, të cilin ish-drejtori e deputeti Laert Duraj e vazhdon akoma si monopol privat brenda Postës.
Burimi: ‘Pamfleti’