Një efektiv i Policisë Tiranë është pezulluar nga detyra dhe po ndiqet penalisht pasi u përfshi në një konflikt fizik orët e para të mëngjesit të sotëm, duke goditur me sende të forta disa persona.

Policia bën me dije se rreth orës 02:00 të mëngjesit të sotëm, gjatë qëndrimit të tij në ambientet e një lokali në zonën e ish-Bllokut Tiranë, pas përfshirjes në një konflikt fizik, për motive të dobëta, mes disa shtetasve që ishin nën ndikimin e pijeve alkolike, ai ka goditur me sende të forta duke i shkaktuar lëndime disa personave.

Pas marrjes së ndihmës së parë dhe mjekimit në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare, pajisjes me vendimet përkatëse të ekspertimit mjeko-ligjor dhe marrjes së ndihmës së parë mjekësore, shtetasit janë larguar në banesat e tyre, ndërsa provat në vendngjarje i janë nënshtruar ekspertimit teknik vlerësues.

Vijojnë hetimet për individualizimin e përgjegjësisë penale të gjithsecilit prej personave të përfshirë në këtë konflikt, apo identifikimin e personave të tjerë.