Legjenda e basketbollit gjirokastrit Xhelil Sinojmeri, themelues i ekipit të famshëm Luftëtari për meshkuj në vitet ’60-’70, bën krenar çdo gjirokastrit për kontributin mjaft të vyer, që ka dhënë në zhvillimin e këtij zhanri sportiv.

Gjirokastra në ato vite u bë celulë e basketbollit të meshkujve, ku Xhelil Sinojmeri, ka meritën eksluzive jo vetëm për këtë pjesë, por dhe në përzgjedhjen e elementëve të rinj në atë përiudhë si Vangjel Voda, Dhimo Kaçi, etj, të cilët ishin djemtë e paktë shtatlartë që i përshtateshin më së miri fizikisht që kërkonte ky sport.

Humbja e parakohshme nga jeta e Xhelil Sinojmerit, krijoi boshllëk në basketbollin e meshkujve, duke lënë gjurmë të pazëvendësueshme.

Kontributi i tij ngelet ende i pavlerësuar nga autoritetet qëndrore apo vendore sportive.

Sot në opinionin publik sportiv e më gjerë në Gjirokastër, figura e Xhelil Sinojmerit është e një njeriu që ka dhënë shumë, ndërsa asetin e vetëm që ka përfituar ai dhe familja e tij, është respekti dhe mirënjohja e qytetarëve të thjeshtë dhe komunitetit të sportistëve.

Ndaj duhet që emri i Xhelil Sinojmerit, të lartësohet dhe të ngelet në kujtesën e sportdashësve, ish sportdashësve, miqve të tij, brezit të tij të hershëm përmes emërimit të Pallatit të Sportit të qytetit, çka do të lartësonte dhe bënte krenar çdo mik, apo nxënës të Xhelilit.

Madje vetë gjirokastritët kanë kujtesën e skalitur mirë se familja e madhe Sinojmeri, ka një kontribut të paçmueshëm në zhvillimin e basketbollit në Gjirokastër, përmes Xhelilit të famshëm tek meshkujt dhe Zana Sinojmerit, legjendën e basketbollit të femrave.

Jugulajm.net zbulon dhe një sekret të vogël të historisë së Pallatit të Sportit, ku në vitin 1986 ka qenë vetë Xhelil Sinojmeri dhe i famshmi Sulë Beqiri, që i propozuan kryetarit të atëhershëm të Komitetit Egzekutiv të Rrethit Flamur Çani, ngritjen e pallatit të sportit.

Nisjen e punimeve të këtij të fundit nisën në vitin 1987 dhe u inagurua nga ish kryeministri i atëhershëm Adil Çarçani, në maj të vitit 1989.

Argumentat janë të shumta për lartësimin e emrit të Xhelil Sinojmerit me Pallatin e Sportit të Gjirokastrës, pasi në këtë mënyrë përmbyllet një etapë vlerësuese për kontributin jo vetëm të Xhelilit, por elitës së atëhershme të basketbolit gjirokastrit.

Kryebashkiaku aktual Flamur Golemi, duhet të marrë në konsideratë këto vlerësime dhe argumenta që i ndesh përditë tek komuniteti sportiv gjirokastrit dhe të vendosë një herë e mirë që Pallati i Sportit Gjirokastër të quhet “Xhelil Sinojmeri”.