Një megaoperacion policor për të goditur rrjetet e shpërndarjes së lëndëve narkotike është duke u zhvilluar në Tiranë prej ditës së djeshme.

Policia ka shoqëruar mbi 150 persona, ndërsa operacioni është shtrirë edhe në qytete si Korça, Pogradeci, Maliqi dhe Elbasani.

Personat e përfshirë në këtë rrjet, shpërndanin kanabis, kokainë dhe heroinë, ndërsa hetimi për ta ka nisur muaj më parë, kur policia zbuloi lidhjet e personave të arrestuar gjatë një operacioni për shpërndarje droge, duke zbuluar edhe anëtarët e tjerë.

Mësohet se nga uniformat blu janë  sekuestruar në kryeqytet rreth 3 kilogramë kokainë dhe 15 kilogramë kanabis.

Sakaq, më shumë se 18 persona janë arrestuar nga drejtoria vendore e qarkut të Korçës, ndërsa pritet që edhe 5 persona të tjerë të vihen në pranga.

Në operacion që është shtrirë në juglindjen e vendit janë përfshirë me shume 50 forca policie.

Ndërkohë në Elbasan janë arrestuar 9 persona dhe 5 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Policia në këtë qytet ka sekuestruar doza kanabisi me peshë 1 kilogramë, tre armë, dy thika, doreza, peshore dhe shuma parash.