Duke filluar nga dita e sotme, çdo qytetar që dëshiron të futet brenda territorit të Republikës së Kosovës, duhet të zotërojë certifikatën e vaksinimit me dy doza të vaksinës anti-COVID.

Personat të cilët nuk i kanë dy dozat e vaksinës, do të kenë mundësi të vaksinohen në pikën kufitare aeroportin “Adem Jashari” dhe në pikat kufitare në Vermicë, Merdare, Dheu i Bardhë dhe Hani i Elezit. Sipas masave anti-COVID që janë në fuqi, lëvizja e qytetarëve lejohet nga ora 05:00 e mëngjesit, deri në orën 00:00 të mesnatës. Lokalet lejohen të punojnë deri në orën 23:00, ndërkaq muzika duhet të ndalet në orën 21:30.

Çfarë duhet të keni:

Çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19, apo certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë, jo më e vjetër se katër (4) javë, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë, ose certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë bashkë me dëshminë se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë).

Qeveria e Kosovës më datë 1 dhjetor të vitit të kaluar miratoi masat anti-COVID, të cilat kanë hyrë në fuqi menjëherë, mirëpo, një pikë e këtij vendimi ishte lënë për datën 3 janar të vitit 2022.