Nga 1 Qershori, nuk do të lejohet me përdorimi i qeseve plastike nga subjektet apo qytetarët.

“Qeset plastike një përdorimshe konsideron si faktori kryesorë i ndotjes në mjedis. Vetëm në Shqipëri qarkullojnë mesatarisht rreth 3.2 miliardë gjatë një viti”.

Ministrja e Mjedisit Mirela Kumbaro, thotë për Televizionin Klan se nisma do të kryhet nën një monitorim të rreptë, e për shkelësit ligji parashikon edhe ndëshkime.

“Masa e gjobës shkon nga 500 mijë lekë të reja, pra 5 milionë lekë të vjetra, deri në 1 milion e 500 mijë, ose 15 milionë lekë të vjetra. Por ka edhe masa më të rënda se kaq për shkelësit. Në radhë të parë sekuestrimi i të gjithë mallit që do të gjendet sepse konsiderohet i paligjshëm. Nëse kjo përsëritet do të hiqet licenca e aktivitetit për shkelësit e ligjit”.

Por jo të gjitha qeset plastike do të hiqen nga përdorimi.

“Qeset e plehrave, ato që shiten gjithandej për të ambalazhuar plehrat, të cilat më pas transportohen në koshat e bashkive, ato do të vazhdojnë të tregtohen dhe të lejohen. Do të jetë jo më pak se 70 mikron dhe mbajtëse e jo më pak se 10 kileve peshë”.

Ligji për ndalimin e prodhimit dhe tregtimit të qeseve plastike është në fuqi prej muajit Mars, megjithatë u krijua një hapësirë 2 mujore për këshillimin e subjekteve tregtare.