Gjatë sezonit veror, Autoritetit Kombëtar i Ushqimit në terren shton numrin e inspektimeve. Deri më tani, janë zhvilluar mbi 2000 inspektime duke filluar që nga pikat doganore e deri tek prodhuesit dhe tregtarët e marketeve, të cilët kërkonin të hidhnin në treg djathë dhe mish të skaduar. Përballë kësaj shkeljeje, AKU ka gjobitur tregtarët e ushqimeve që venë në rrezik shëndetin e konsumatorëve.
“Për muajin korrik, kemi rreth 36 ton produkte të bllokuara dhe asgjësuara. Ka patur produkte të llojit bulmet, mish të evidentuara me data skadence të kaluara, të cilat rrjetet e supermarketeve kanë tentuar t’i rikthejnë si të gatuara, duke i kaluara në procese termike për hedhur në tryezat e konsumatorit. Ne e kemi ndaluar këtë dëshirë për ose përpjekje për abuzim”, shpjegon Jeta Deda, drejtoreshë e Përgjithshme e AKU-së.
Akullorja me origjinë franceze ‘Hagen Dazs’ me datë skadence 08.04.2023 nuk duhet të konsumohet. Sipas sistemit të njoftimit të menjëhershëm për ushqimin, pas analizave laboratorike të kryera në Francë është konstatuar prania e lëndës së huaj e 2-kloretanolit në akulloret me vanilje. Nëse ky produkt konsumohet në sasi të tepërt shkakton helmim.
“Rasti i akullores i cili kishte përmbajtje të etanolit. Kjo gjetje ishte bërë në shtetin francez, shpërndarja ishte bërë në shtetin shqiptarë. Ne morëm menjëherë masa produkti është kthyer”, thotë Deda.
Drejtoresha e Përgjithshme e AKU, Jeta Deda thotë se është e vendosur që të heqë nga qarkullimi shitjen e preparateve bujqësore kontrabandë, sic është dhe methomyl. Deda thottë do të ushtrohet kontroll në të gjitha farmacitë bujqësorë të vendit për të asgjësuar ilaçet e rrezikshme si dhe për të ndëshkuar tregtarët.
“Media ka njoftuar që ka patur denoncime ekzistencën e produkteve të palejuara të cilat kontrabandoheshin në këto farmaci. Kemi kryer inspektime në tre qarqe Tiranë, Elbasan, Fier. Ne kemi mbi 6 raste të referuara në prokurori për gjetjen e këtyre produkteve kontrabandë. Methomyl 90 ka qenë një nga këto preparate që është kapur si dhe të tjera që nuk kanë qenë në gjuhën shqipe. të gjitha këto preparate janë bllokuar dhe asgjësuar”, shprehet Deda.
Në të njëjtën lupë kontrollesh janë dhe farmacitë veterinare, të cilat shesin medikamete të rrezikshme për shpendët dhe kafshët.