Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka pezulluar nga detyra, efektiven Anisa Kostani, pjesë e sektorit të krimit ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit.

Ky vendim ka ardhur pas gjuhës jashtë etike të efektives, duke ofenduar dhe kërcënuar gazetarët ditën e djeshme përmes postimeve dhe komenteve në rrjetet sociale.

Agjencia për Mbikëqyrjen Policore ka nisur një hetim të thelluar administrativ për shkelje të etikës dhe rregullores për përdorimin e rrjeteve sociale nga policja Kostani.

Nano i ka kërkuar AMP të hetojë Kostanin si dhe të kalojë në filter të gjitha rrjetet sociale të policëve të cilët shfaqin sjellje kundër etikës e rregullores së policisë.

Kostani po hetohet dhe mbi luksin e shfrenuar të ekspozuar përmes fotove në rrjetet sociale dhe fotot provokuese. Ajo më herët ka qenë në Policinë e Korçës dhe është transferuar më pas në atë të Elbasanit.