Ministri i Brendshëm Taulant Balla, gjatë një takimi në Horë-Vranisht, Bashkia Himarë, bashkë me Prefektin e Vlorës Vangjel Tavo dhe Këshillin Vendor të Sigurisë Publike u takuam me banorët e zonës për të forcuar bashkëpunimin kundër kultivimit të lëndëve narkotike.

Gjatë fjalës së tij, Balla u ndal te fenomeni i kanabisit duke thënë se fotografimet dhe pamjet e dronëve do t’i përdorin për të luftuar këtë fenomen, por shtoi gjithashtu se do të përdoren dhe për ndërtimet pa leje.

“Fotografimet dhe pamjet e dromëve do t’i përdorim, qoftë në luftën kundër kultivimit të kanabisit, por për fat të mirë do t’i përdorim edhe kundër ndërtimeve pa leje. Për të dhënë një përgjigje përfundimtare ndaj gjithkujt që ende nuk ka vënë mend, se nuk mund të ndërtohet më pa leje. E këtu nuk po flas për riparimet e çative që të jem i qartë ia kam bërë me dije drejtorëve të drejtorive vendore të Policisë dhe po ia përsëris, qeveria i ka marrë masat dhe i ka lehtësuar procedurat maksimalisht kur një familje do të riparojë një çati dhe SPZ nuk ka nevojë më të merren me këtë punë. Mjaft më me historitë e çative të fshatit, merruni me kultivimin e kanabisit, merruni me ndërtimet pa leje në bregdet. Mos u merrni as me stane as me muret rrethuese të shtëpive. Këta këtu, dinë t’i qajnë muret rrethuese. I bëjnë me gurë, i bëjnë pa çimento, i bëjnë pa beton”, tha Balla.

Ministri shtoi se fotografimi që do të bëhet nga ajri në mënyrë të vazhdueshme përmes edhe mjeteve ajrore të GdF edhe dronëve ‘Bajraktar’ nxjerr zbuluar gjithkënd.