Miliarderi dhe filantropi amerikan, George Soros, i cili është kaq shumë i përfolur edhe në politikën shqiptare, është treguar mjaft radikal për sa i përket agresionit rus në Ukrainë.
Ai ka kërkuar përfshirjen direkte të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera transatlantike në konfliktin Rusi-Ukrainë.
Soros shkruan se këto vende duhet “të bëjnë gjithçka kanë në dorë”, për të mbështetur Ukrainën kundër Rusisë.
“E kam parë Ukrainën të shndërrohet nga një pjesë e ndarë nga Bashkimi Sovjetik, në një demokraci liberale dhe një shoqëri të hapur”.
Është e rëndësishme që si aleanca transatlantike (Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe), por edhe vendet e tjera, të bëjnë gjithçka munden për të mbështetur Ukrainën në një kohë kur po i kërcënohet ekzistenca”, shkruan ai.
Kërkesa e Soros për më shumë përfshirje të SHBA-së në Ukrainë vjen pasi presidenti Joe Biden ka njoftuar se do të dërgojë trupa të tjera shtesë në Gjermani.
Numri i përgjithshëm i trupave amerikane të dislokuara për të ndihmuar në konfliktin Ukrainë-Rusi tani është rreth 12 000.
Gjithashtu SHBA do të ndihmojë Ukrainën me 350 milionë dollarë, ndërkohë që një sondazh i kryer javën e kaluar tregonte se 72% e amerikanëve nuk duan që SHBA të luajë një “rol të madh” në konflikt.
Nga ana tjetër shumë grupe pro emigracionit, përfshirë edhe ato që lidhen me Sorosin, kanë nisur të kërkojnë hapjen e kufijve për dhjetëra mijëra refugjatë ukrainas.