Policia e Fierit ka vënë nën pranga tre persona të shpallur në kërkim për kultivim e shitje të narkotikëve dhe mashtrim.

Njoftimi i policisê:

Në kuadër të operacionit ‘Horizonti’, policia ndaloi shtetasin P. S., 53 vjeç, banues në Hoxharë, Fier.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datës 17.12.2021, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim gjatë operacionit policor të koduar “Hoxhara”, zhvilluar në datë 16.10.2021, ku në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi 10 kg lëndë narkotike cannabis sativa. Shtetasi P. S., në bashkëpunim me shtetasin I. H. (B), (i arrestuar nga policia gjatë operacionit), kishin përgatitur lëndën narkotike gati për shitje.

Ndërkaq u vu në pranga shtetasi E. H., 41 vjeç, banues në Hamil, Fier, pasi Gjykata e Apelit Vlorë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Po ashtu në pranga ra edhe shtetasi R. K., 23 vjeç, banues në Lushnjë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan, me vendimin e datës 02.02.2022 ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Mashtrimi në kredi”.

Ky shtetas, në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë(të cilët janë arrestuar nga Policia) duke u prezantuar si punonjës të një fondacioni që krijon lehtësira për të marrë kredi, kanë mashtruar shtetasin R. B., 65 vjeç, banues në Elbasan, duke i kërkuar një shumë parash.
23-vjeçari iu dorëzua shërbimeve të Policisë Elbasan për veprime të mëtejshme.

Materialet do i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.