Kanë kaluar 10 vjet që nga përplasja fatale e Michael Schumacher në një vendpushim skish në Alpet Franceze, që e la të shtrirë në shtrat legjendën e Formula 1.

Një raport i ri pretendon se Schumacher ka hyrë sërish në një makinë të Formula 1. Sipas gazetës gjermane Bild, Schumacher ka hipur në një Mercedes AMG, me synimin për të stimuluar trurin e tij përmes tingujve që ishte mësuar të dëgjonte gjatë gjithë jetës së tij, si pilot i Formula 1.

Kjo lëvizje e mjekëve që kujdesen për Schumacher është pjesë e planit mbështetës për shtatë herë kampionin gjerman të botës në F1, i cili nuk u shërua kurrë nga aksidenti që pësoi më 29 dhjetor 2013.

Dhjetë vjet më pas, shëndeti i tij duket se mbetet i dobët dhe i nevojitet kujdes gjatë 24 orëve, i cili i ofrohet nga një ekip prej 15 mjekësh, masazhatorësh dhe asistentësh të tjerë.

Vëllai i tij, Ralf Schumacher, madje kohët e fundit deklaroi se “asgjë nuk është e njëjtë” në komunikimin e tij me Michael, por shtoi se “për fat të mirë, shkenca e avancuar mjekësore ofron shumë mundësi”.