Ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani është paraqitur mëngjesin e sotëm në ambientet e Strukturës së Posaçme (SPAK).
Bëhet me dije se Cani është thirrur në SPAK nga prokurori Elvis Gogaj. Pritet që detajet të dalin në vijim, por paraprakisht mendohet se Cani është thirrur në SPAK në lidhje ma aferën e ineneratorëve.
Kur u thirr në Komisionin Hetimor të ngritur me kërkesë të Partisë Demokratike, ish-ministri Shkëlqim Cani u shpreh se ministria që ai drejtonte kishte refuzuar projektin për inceneratorin e Elbasanit. Sipas tij, procedura nuk ishte në përputhje me ligjin.
“Ne kemi refuzuar, mbështetur në kërkesat dhe aktet ligjore dhe nënligjore. Është normale që ne të kryenim kështu. Ndërkohë ka ardhur edhe një projekt vendim kur kërkohet që të zbatohet një procedurë e veçante lidhur me djegësin e mbeturinave ose inceneratorin. Kjo procedurë ka marrë përgjigje nga ne që nuk përputhet me ligjin…”, u shpreh Cani një vit më parë në Komisionin Hetimor Parlamentar.