Vijon operacioni policor i koduar “Road Guard”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt fitimit.

Transportonin 3 emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 2 shtetas.

Sekuestrohen 1 automjet dhe 2 aparate celulare.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve policore, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “Road Guard”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit D. S., 20 vjeç dhe A. S., 22 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë operacionit, në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, Gjirokastër, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë shtetasit e mësipërm, duke transportuar me automjetin e tyre, 3 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 automjet dhe 2 aparate celulare.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.