Dy persona mbetën të plagosur mesditën e kësaj të enjteje në Vorë, si pasojë e një sherri mes 3 personave, 2 vëllezërve Kidi Muzhaqi dhe Ermal Muzhaqi, dhe 34-vjeçarit Ergest Hoxha.

Ishte ky i fundit i cili mësohet se goditi me thikë njërin prej vëllezërve, duke sjellë reagimin e tjetrit.

Vëllai i madh, 27-vjeçari Ermal Muzhaqi me detyrë oficer ushtrie, iu kundërpërgjigj duke e qëlluar me armë. Më pas ai u vetëdorëzua në polici.

“Sot rreth orës 12:20, në Vorë, Ergest Hoxha, 34 vjeç, ka plagosur me thikë në krah Kidi Muzhaqin, 24 vjeç, banues në Vorë, pasagjer në automjetin me drejtues Ermal Muzhaqin, 27 vjeç, (vëllezër). Në këto momente, drejtuesi i mjetit, Ermal Muzhaqi, (oficer ushtrie), ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka plagosur Ergest Hoxhën. Të dy të dëmtuarit janë shoqëruar në spital, për ndihmë mjekësore, ndërsa Ermal Muzhaqi, është vetëdorëzuar në Polici, së bashku me armën e shërbimit. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, tha policia në një njoftim për mediat.