Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku ka nxjerrë një urdhër për vartësit e tij në funksion të parandalimit të kultivimit të bimëve narkotike kanabis.

Porosia u drejtohet drejtorëve të policisë në qarqe dhe atyre të kufirit, për të kontrolluar ambientet e mbyllura të dyshuara për kultivim të kanabisit, për kontroll të përjavshëm të terrenit, për kontrolle në bazë të analizës së riskut në pikat e kalimit kufitar dhe për patrullime të shtuara në kufirin tokësor dhe në atë detar.

Drejtori i Përgjithshëm, porosi të gjitha strukturave policore:

-Intensifikoni kontrollet në terren dhe në ambiente të mbyllura;

-Mblidhni informacion, duke bashkëpunuar me qytetarët dhe agjencitë ligjzbatuese, për personat me tendencë në fushën e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike;

-Kontroll të përjavshëm të territorit, me grupe kontrolli dhe jo vetëm përgjegjësi e spz-ve, por e tërë strukturës policore në zonë;

-Organizoni grupe kontrolli të përbashkëta, me të gjitha institucionet që i ngarkon ligji;

-Kontrolle të imtësishme në pikat e kalimit kufitar, në kufirin tokësor dhe në atë detar, për parandalimin e futjes në Shqipëri, të farave të kanabisit dhe për parandalimin e krimeve ndërkufitare, në veçanti tentativën për trafikim të lëndëve narkotike;

-Intensifikoni bashkëpunimin me partnerët, në nivel vendor, rajonal dhe qendror, duke organizuar patrullime të përbashkëta, si në det ashtu edhe në tokë, për të parandaluar dhe goditur krimet ndërkufitare.

-Bashkëpunoni me OSHEE-në në qarqe, për të evidentuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike.

-Në rast se nga agjenci të tjera ligjzbatuese, do të konstatohen bimë narkotike të kultivuara në terren të hapur apo në ambiente të mbyllura, përgjegjësia do të jetë mbi zinxhirin drejtues të drejtorisë dhe të komisariatit përkatës;

-Organizoni takime masive, duke bërë pjesë nxënësit e shkollave dhe qytetarët, me qëllim sensibilizimin për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike dhe për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve, për denoncimin e kësaj veprimtarie.

Porosia e Rrumbullakut për të goditur fenomenin e kultivimit të kanabisit vjen pasi gjatë 2 muajve Janar dhe Shkurt u gjetën 3 shtëpi në Durrës, Fier dhe Vlorë, të përshtatura për kultivim të bimëve narkotike me anë të llambave, si dhe një magazinë në Kropishtë të Selenicës, gjithashtu e përshtatur për kultivim.

13 persona u arrestuan për këtë aktivitetet të paligjshëm, prej të cilëve 8 punonjës të OSHEE. 3 të tjerë janë shpallur në kërkim.