Nga Albert Malaj-Kandidati i ”Bashke Fitojme” per Bashkine Memaliaj:
Prezantimi dhe pikat kryesore te programit.
Motra e vëllezër Memaliotë.
Ju përshëndes dhe falenderoj përzemërsisht për pjesëmarrjen e gjerë dhe mbështetjen e vazhdueshme për t’i kthyer bashkinë banorëve të Memaliajt.
Prezenca juaj e gjerë sot dhe aktiviteti juaj i deritanishëm reflekton më shumë se cdo gjë tjetër se e ardhmja duhet të jetë në duart tuaja dhe qeverisja t’i kthehet qytetarëve!
Kam kënaqësinë së pari, të përshëndes liderin historik të PD, Dr. Sali Berisha për përkrahjen dhe për marrjen e përgjegjësisë në këtë kohë të vështirë për fatin e vendit dhe demokracisë shqiptare!
Nder e mirënjohje Doktorit për kthimin e besimit, udhëheqjen e sigurtë, bashkimin e opozitës si dhe shndërimin e aleancës “Bashkë Fitojmë” në një promotor të fuqishëm të dinjitetit, progresit dhe suksesit politik!
Ne kandidatët e sotëm kemi fatin të jemi bij të primareve, produkt i drejtpërdrejtë i votës dhe dëshirave tuaja.
Dalja nga primaret na bën krenarë dhe të përgjegjshëm edhe më shumë para zgjedhësve dhe halleve të tyre e nga ana tjetër është një ndihmesë e madhe në rrugën e vështirë drejt fitores së 14 Majit.
Të dashur miq,
Unë jam njëri prej jush i rritur dhe edukuar me dashurinë për trojet tona, bashkëqytetarët dhe flamurin e kombit!
Gjatë jetës sime kam luftuar të ngrihem në lartësinë e detyrave të kohës dhe shoqërisë, ndaj sot dhe jam para jush me dëshirën e sinqertë të vendos aftësitë, përkushtimin dhe vullnetin tim në themel të ringritjes së qytetit Memaliaj dhe fshatrave tona.
Përtej fjalëve dhe premtimit si burrë, garancia që jap sot para jush është eksperienca ime e deri sotme si ushtarak karriere, jurist dhe sipërmarrës i suksesshëm!
Jam i ndërgjegjshëm për sfidat dhe vështirësitë që kemi përpara. Por mos harrojmë se betejat i fitojnë vetëm ata që përballen me to!
Ne të gjithë jemi pasardhës të etërve luftëtarë, ndaj së bashku dimë t’i dalim zot vendit dhe demokracisë.
Vëllezër e motra,
E kam thënë dhe po e përsëris, Bashkia Memaliaj është bashkia e dytë në Qarkun e Gjirokastrës si nga sipërfaqja dhe nga popullsia POR gjithëmonë është parë me syrin e njerkës.
Memaliaj qytet dhe fshat, Buzi, Luftinja, Qesarati, Krahësi dhe fshatrat rreth tyre po përjetojnë ditët më të errëta të historisë së tyre.
Skamja dhe mjerimi ekonomik, shpopullimi masiv, braktisja e qyteteve dhe krahinave të mrekullueshme po e cojnë këtë krahinë të mrekullueshme drejt rrënimit!
Falimentimi i shërbimeve publike, mbyllja e shkollave dhe qendrave shëndetësore, mospasja e një farmacie ku të jepen ilace me rimbursim, largimi masiv i mjekëve dhe profesionistëve, në shumë fshatra gjilpërat kompesohen në kokrra për shkak të mospasjes së 1 infermieri për të bërë gjilpërat.
Mungesa e investimeve në rrjetin energjitik ka bërë që, në njësitë administrative Luftinjë dhe Buz këto zona e kalojnë më shumë dimrin pa drita se me drita.
Mungesa e subvencioneve bujqësore e blegtorale si dhe shkatërrimi plotësisht i rrugëve që lidhin fshatrat me qytetet e kanë kthyer Memaliajn në zonë të pabanueshme!
Pjesa më e madhe e popullatës po jeton me asistencë sociale në të kundërt me cfarë meritojnë për vlerat njerëzore dhe dinjitetin që trashëgojnë.
Në kontrast me këtë mjerim militantët e PS, patronazhistë dhe aktivistë po konsumojnë të ardhurat vendore në ahengje, fasada e aktivitete partiake duke lënë në ditë të hallit pa ujë, ndricim e shërbime publike mijëra qytetarë, blegtorë, fermerë e biznese të ndershme.
Pushtetarëve vendorë të vetemëruar të zhytur në korrupsion duan të krijojnë idenë e suksesit me investime dhe arna elektorale, ndërkohë që qytetarët po boshatisin vatrat e të parëve, shtëpitë, qytetet e fshatrat historike!
Të dashur miq,
Megjithë këtë situatë të vështirë unë si përfaqësuesi juaj e kam një projekt për ta ringritur Memaliajn, për ta bërë të dashur, për të jetuar dhe për ta afruar me dëshirat tuaja!
Një plan i madh veprimi social, ekonomik dhe kulturor do të përfshijë gjithë territorin dhe banorët e bashkisë Memaliaj!
Ne do të nxjerrim nga sirtarët gjithë projektet e Bankës Botërore dhe Komunitetit Evropian për zonën tonë të lënë mënjanë dhe do të hartojmë për cdo qendër të banuar dhe sektor projekte të reja.
Në qendër të projetit tim do të jetë Memaliaj turistike si epiqendra vendore e menaxhimit të Parkut Kombëtar të Vjosës. Do të krijohen të gjitha mundësitë që Vjosa në gjithë territorin që përshkon të jetë destinacion turistik!
Të gjitha potencialet eko turistike të peshkimit, biodiversiteti, guidave, kanioneve, notit, raftingut dhe plazheve të kësaj lugineve do të njohin përmasa të reja.
Plani im për infrastrukturën përfshin rrugët e brendshme të qytetit dhe fshatrave, rikonstruktimin e rrugëve që lidhin aksin nacional me qendrat e banuara si dhe shtrimi i rrugëve në destinacionet turistike të Vjosës.
Në 4 vite unë do të loboj për të rikthyer projektin e Dr.Berishës për ndërtimin e aksit Memaliaj- Berat si pjesë e korridorit jugor.
Mos harrojmë se me Boshtin Qendror Jugor, distanca Tiranë-Berat-Memaliaj do të ishte 115 km, kurse sot nëpërmjet Fier- Levan-Tepelenë, është rreth 190 km.
Të dashur miq,
Nxitja e sipërmarrësve dhe punësimi do të jenë prioriteti ynë, nëpërmjet mostaksimit të bisnezeve të reja, ardhjes së fasonëve dhe ofrimit të lehtësimit të shërbimeve në infrastrukturë, ujë dhe energji nga bashkia.
Unë dhe stafi im jemi konsultuar me përfaqësues të Bankës Botërore lidhur edhe me subvencionimin e investimeve private në Minierën e Memaliajt.
Nga të gjitha konkluzionet më i qartë është fakti se poshtë nëntokës sonë qëndrojnë të pashfrytëzuara miliona ton qymyrguri nga më cilësorët në Ballkan…
Interesi ynë është të nxisim cdo investim që jep të ardhura dhe hap vende pune!
Ndërkohë bujqësisë, blegtorisë dhe agrobiznesit do t’i rikthehet përkrahja, lehtësimet administrative, subvencioni në cdo hap të investimit për cdo banor apo fermer që dëshiron të investojë në territorin e Memaliajt.
Në Bashkinë e Memaliajt ka një prodhim të bollshëm vaji ulliri, kjo për faktin se në Qeverisjen e Partisë Demokratike pati suvencionim në masë. Tani pas 12-13 vitesh ka hyrë në masë prodhimi, por nga ana e AZHBR si dhe Ministrisë së Bujqësisë nuk ka asnjë projekt, asnjë plan për grumbullimin, etiketimin, certifikimin si dhe eksportimin jashtë Shqipërisë, por vaji ka ngelur stok dhe shitet me një çmim qesharak.
(Ministrja e bujqësisë jo vetëm qe nuk ka asnjë plan apo projekt për eksportin e vajit të ullirit, por del dhe deklaron që është mbjellë pa plan.)
Ne kemi në projekt ndërtimin e një tregu në qytet me standarte bashkëkohore. Për vite me rradhë tregtarët tregtojnë prodhimet e tyre në kushte mizerabël.
Ne do të punojmë në të gjithë skajet e bashkisë duke filluar që nga urat që do t’i ndërtojmë në bashkëpunim me bashkinë Selenicë për ta lidhur Vlorën me Memaliajn nëpërmjet urës në Kalivaç.
Shërbimet publike me ujë, pastrim e energji elektrike, si dhe emergjenca nga fatkeqësitë do të synojnë garanci dhe partneritet me shumë donatorë e organizata të integrimit Evropian
Arsimi, kultura dhe trashëgimia etnokulturore do të jenë objekt përkujdesje dhe mbështetje e drejtpërdrejtë nga bashkia me bazë materiale dhe burime të reja sponsorizuese.
1-Mirëmbajtja e shkollave, lidhje e energjisë elektrike në cdo shkollë, furnizimi me ujë të pijshëm, përmirësimi i kushteve higjeno-sanitare, rimbursim për transportin e nxënësve të cilët e kanë shkollën larg vendbanimit.
Hapja e nje cerdhje në qytetin e Memaliajt.
Bashkia do të përdorë gjithë influencën për të ofruar partnerë ndërkombëtarë e ndërkufitarë për promovimin e grupeve artistikë e krijues.
Të dashur bashkëqytetarë,
➢ Si fillim emergjencë për qytetin e Memaliaj është sjellja e 2 deri në 3 fasoneri për të punësuar sa më shumë burra, gra, të rinj e të reja, për të ndaluar sado pak hemorragjinë që po shqetëson shoqërinë tonë, atë të shpopullimit të Shqiptarëve.
➢ Me hapjen e këtyre fasonerive e frenojmë sado pak këtë dukuri, rrisim punësimin si dhe mirëqenien e familjeve. Për ngritjen e fasonerive konsultimet janë në mënyrë të vazhdueshme me sipërmarrës të ndryshëm të cilët janë duke e zhvilluar këtë biznes në qytete të tjera. Shembull mund të marrim sipërmarrësin e suksesshëm z.Agim Murati.
➢ Rikthimi i bankës
Rikthimi i bankës në qytetin e Memaliajt është domosdoshmëri për t’u shërbyer qytetarëve në tërheqje , transferim, depozitim pagesash të ndryshme si taksa, siguracione e cdo shërbim tjeter që ofron banka.
Qytetarët do të përfitojnë kohën si dhe nuk do të detyrohen të shkojnë në qytete të tjera për të kryer këto shërbime. Me rikthimin e bankës përvec lehtësimit në shërbime përfitojnë edhe disa të punësuar si përshembull përgjegjësi I filialit, arkëtar, shërbim ndaj klientit, përgjegjës sigurie etj.
➢ Hapja e Muzeut “Minatori”
➢ Hapja e një muzeu “Minatori” ku do të shfaqen foto, objekte, informacione që nga ndërtimi I qytetit, arsyeja e ndërtimit, kur është ndërtuar. Muzeu do të ketë të gjitha objektet,veshjet ,sendet që ka pasur një minator, sa më shumë objekte nga miniera, foto të ndryshme të minatorëve gjatë procesit të punës, si dhe foto nga ku tregohet si janë aktualisht. Muzeu do të ketë gjithashtu punonjës së bashkisë të cilët do të jenë cicëronë e do të shoqërojnë qytetarët si dhe turistët që do të vizitojnë duke folur për historinë e qytetit dhe mbi punën e minatorëve.
➢ Ndërtimi i shëtitores buzë Vjosës
Ndërtimi i shëtitores është një domosdoshmëri për qytetin, ku përvec ecjes në këmbë dhe me bicikletë do të nxisim hapjen e bujtinave sic është bujtina “Vjosa”, “Sanco Farm” përgjatë shëtitores. Këto bujtina e shëtitorja do ta kthejnë qytetin në një destinacion turistik për turistë vendas e të huaj. Ndërtimi i shëtitores do të bëhet nga punonjësit e ustallarët te bashkisë. Ajo gjithashtu do të mundësojë materialet e nevojshme si cimento, zgara, rërë e forma betoni.
➢ Suvatimin e pallateve
Nga ana e bashkisë për suvatimin e pallateve do të merren masa si blerja e skelave,si dhe të gjitha materialet për sistemin kapot. Kto punime do të kryhen nga grupe ustallarësh dhe punëtorësh që janë aktualisht si dhe të tjerë që do të punësohen, duke zëvendësuar patronazhistët të cilët janë kthyer si shushunja duke marrë rroga në bashki pa shkuar në punë. Ky grup pune do të merret me suvatimin dhe sistemin kapot.
➢ Të dashur bashkëqytetarë,
Në administratën e bashkisë do të krijohet një zyrë për të gjithë qytetarët dhe banorët e njësive administrative, e cila do të përbehet nga juristë,ekonomistë dhe inxhinierë.
Kjo zyrë do të ofrojë të gjitha shërbimet që ofron dhe E-Albania, në të cilën moshat e treta kanë vështirësi.
Në të njëjtën kohë do të ketë një numër kontakti për të gjithë qytetarët e Memaliajt të cilët janë emigrant jashtë vendit, ata do të kenë mundësi të marrin cdo dokument të skanuar e të dërguar në email.
Kjo zyrë do t’i japi asistencën e duhur për këdo që ka një ide biznesi duke I dhënë ndihmë na përpilimin, aplikimin, preventivin e dokumentave.
Blegtoret dhe fermerët të cilët do të marrin asistencën e duhur për të përgatitur dokumentat përkatëse si dhe për të aplikuar për suvencionimet përkatëse.
➢ TË RIKTHEJMË DINJITETIN E FUTBOLLIT “MINATORI”, MEMALIAJ
Rikthimin e ekipit MINATORI – MEMALIAJ në kategorinë e dytë
pasi me rezultatet e marra deri me tani eshte zyrtarisht ne kategorin e tret .
Fatekeqesisht 75 vjetori i krijimit te ekipit te Minatorit e gjen ne kategorin e tret.
Për ekipin e futbollit MEMALIAJ ka projekte në zhvillim :
Brenda mandatit 4-vjecar ekipi i futbollit do të konkurojë për kategorinë e parë. Do të ndërtojmë fushën e futbollit brenda rrethimit të shkollës me bar artificial, në bashkëpunim me FSHF për ekipet zinxhir të moshave për të zhvilluar kampionatet e tyre, si dhe për zhvillimin e lendes se Edukimit Fizik per shkollen 9- vjecare dhe te mesme. Do të bëjmë rikonstruksion të ambienteve të stadiumit aktual, mbjelljae fushës më bar natyral në bashkëpunim me FSHF, si dhe ndërtimin e shkallëve nga ana jugore dhe murit rrethues të stadiumit. Do të restaurojmë kalcetot që janë brenda rethimit të shkollës,në të cilat nxënësit zhvillojnë orën e fiskulturës ndonëse kanë dalë jashtë funksionit. Do të organizojmë dhe formojmë ekipet e të rinjve për moshat U-15 dhe U-17 dhe trajnerët e të dy ekipeve do të paguhen financiarisht nga bashkia Memaliaj. Do të rikonstruktojmë fushën e futbollit Krahës 1, duke rikthyer në këtë zonë aktivitetet sportive dhe krijimin e ekipeve të futbollit për moshat U-11 dhe U-13 të cilët do të kenë bazen material falas, ndërsa trajnerët do të paguhen nga bashkia Memaliaj, Të gjitha këto do të kthejnë vëmendjen dhe dinjitetin e traditës së bukur të futbollit për bashkinë Memaliaj. Futbolli memaliot do të kthehet në vendin që i takon. Përvec mbështetjes financiare nga bashkia do të krijohet dhe bordi i sponsorizuesve.
Për t’i kthyer gjallërinë qytetit kemi menduar që gjatë verës të organizojmë takim brezash që ndryshe nga fshatrat, në qytet do të organizohet 1 javë rresht dhe kjo do të quhet java Memaliote.
Të dashur miq ky projekt nuk mund të realizohet në një bashki bunker, pa profesionistë dhe pa energjinë dhe vizionin e brezit të ri,
Ndaj hapi i parë i bashkisë së re do të jetë hapja e saj ndaj qytetarëve, bashkëpunimi dhe pjesëmarrja e tyre në vendimarrje si dhe transparenca e kontrolli prej tyre i gjithë investimeve dhe aktivitetit të saj.
Dera ime do të jetë e hapur për këdo qytetar, nevojtar apo intelektual që ka një ide për Memaliajn.
Ne do të jemi gjithmonë pranë jush por mos harroni se e ardhmja e përbashkët do të jetë në duart tuaja në 14 Maj.
Unë nuk do të lë derë pa trokitur për të marrë fondet dhe investimet e humbura ndër vite.
Ju ftoj të votoni për koalicionin “Bashkë Fitojmë”, për Memaliajn e vlerave dhe begatinë e familjeve tuaja!
Faleminderit!