Një punonjës policie i Stacionit Policor Kufitar në Dhërmi humbi jetën mbrëmjen e së shtunës si pasojë e një ataku kardiak.

Përmes një njoftimi për shtyp, policia bën të ditur se rreth orës 20:10, polici 56-vjeçar me iniciale S.A., drejtues i një mjeti lundrues të Policisë Kufitare, gjatë patrullimit në det nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore dhe për këtë shkak ka ankoruar mjetin lundures përballë stacionit të Policisë Kufitare në Dhërmi duke dalë në breg.

Menjëherë është kërkuar ndihma e urgjencës mjekësore dhe pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme, punonjësi i policisë humbi jetën.

Paraprakisht dyshohet se 56-vjeçari e ka humbur jetën për shkak të një arresti kardiak.

Grupi hetimor në bashkëpunim me ekipin mjekësor vijon punën për përcaktimin e saktë të shkakut të humbjes së jetës së 56-vjeçarit.