Maturantët dhe kandidatët e tjerë që duan të rikthehen në garë për studimet e larta përgjatë vitit të ri akademik 2023-2024, nisin zyrtarisht garën për të fituar një vend në universitet.

Javën e ardhshme, nga data 27 shkurt deri në 3 mars, Qendra e Shërbimeve Arsimore hap aplikimet me Formularët A1/A1Z, përmes të cilëve të rinjtë zgjedhin gjuhën e huaj që do të japin provim bashkë me lëndën me zgjedhje.

Paralelisht me këtë, maturantët po zhvillojnë orë të veçanta konsultimesh për provimet e fundit që do të mbahen në tri javët e para të muajit qershor. Të gjithë ata që do të rezultojnë kalues në këto provime, do të mund të pajisen me Diplomën e Maturës Shtetërore, duke gëzuar kështu edhe të drejtën që të aplikojnë për të studiuar në institucionet e arsimit të lartë, qofshin këto publike apo private, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.

Procedura

Plotësimi i formularit A1/ A1Z është hapi i parë për maturantët, përmes të cilit ruhen të dhënat personale, si dhe të dhëna të tjera në lidhje me provimet që do të zhvillojnë për këtë vit shkollor maturantët.

Formulari A1 duhet të plotësohet nga të gjithë maturantët që mbyllin studimet e shkollës së mesme përgjatë vitit 2023. Aplikimi, si çdo vit tjetër, bëhet online në portalin e Maturës. Në çdo rast, maturanti ndihmohet nga një mësues mbikëqyrës për të shmangur gabimet në plotësimin e tij.

Maturanti ka të drejtë që të zgjedhë vetëm një lëndë nga lista zyrtare e lëndëve të miratuara, për ta dhënë si provim me zgjedhje.

Për shkollat profesionale bëhet e ditur se teoria profesionale është e zbërthyer sipas indeksit të shkollave. Maturantët e shkollave profesionale lëndën me zgjedhje duhet ta përzgjedhin detyrimisht nga lista që është e përcaktuar vetëm për këtë profil shkollash.

Procedura ndiqet ngjashëm edhe për maturantët e vjetër, të cilët plotësojnë Formularin A1Z. Këtë dokument mund ta plotësojnë po ashtu edhe kandidatët që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë vendit, të cilët pasi kanë bërë njehsimin e diplomës në komisionin përkatës të QSHA-së rezulton se kanë detyrimin për të dhënë një ose disa provime të maturës, si dhe kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme në Shqipëri ose jashtë vendit që nuk kanë detyrim për të dhënë provime të Maturës 2023, por që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në universitetet publike apo private përgjatë vitit të ri akademik.

Edhe në këtë rast, plotësimi i këtij formulari do të ndiqet nga një mësues mbikëqyrës.

Këta maturantë do të bëhen pjesë e maturës, duke mbartur rezultatet e provimeve të dhëna në vitet përkatëse, si për lëndët e detyruara, ashtu edhe lëndën me zgjedhje.

Për të bërë plotësimin e formularit A1Z, kandidati duhet të paraqesë te mbikëqyrësi një vërtetim të lëshuar nga Komisioni i Maturës Shtetërore dhe Zyrës Vendore të Arsimit, i cili pasqyron provimet që ai ka dhënë, si dhe rezultatet që ka marrë në to. Vërtetimi krahas gjeneraliteteve duhet të ketë edhe këto të dhëna: provimet e detyruara dhe notat e përshkallëzuar të marrë në secilin prej tyre, si dhe notën e përshkallëzuar të marrë në provimin lëndës me zgjedhje.

Provimet

Katër janë provimet që do të zhvillojnë maturantët edhe përgjatë Maturës Shtetërore 2023, ku bëhet fjalë për 3 provime të detyruara që do të zhvillohen në lëndët: Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, Matematikë, dhe Gjuhë e huaj e parë, si dhe një lëndë që do të jepet si provim me zgjedhje, e cila do të përzgjidhet sipas preferencave të maturantit nga lista zyrtare e miratuar nga MAS për çdo profil shkollor: shkollat e mesme të përgjithshme, ato artistike, si dhe shkollat profesionale.

Sa i takon provimit me zgjedhje, maturanti duhet të zgjedhë këtë lëndë nga lista e 8 lëndëve të miratuara për nxënësit e shkollave të mesme të përgjithshme, 3 lëndë për shkollat artistike, si dhe 41 lëndë për maturantët e shkollave profesionale. Listën e lëndëve që mund të jepen si provim me zgjedhje e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit.