Në fillim të mbledhjes së liderëve evropiane Kryeministri, Kyriakos Mitsotakis preferoi ta injorojë krejtësisht para mediave rekomandimin e Brukselit për hapjen e kapitujve të parë të anëtarësimit me Shqipërine brenda këtij viti.
Kryeministri grek foli vetëm për kërkesën për më shumë fonde financiare nga BE-ja për përballimin e migracionin të paligjshëm dhe ndryshimeve klimatike që e dogjën Greqinë gjatë verës së kaluar.
Mitsotakis shprehu mbështetjen për fillimin e negociatave me Ukrainën dhe Moldavinë, dhe për dhënien e statusit kandidat Gjeorgjisë. “Shpresoj dhe lutem që ne të mund të kapërcejmë çdo kundërshtim në mënyrë që Këshilli Evropian të dërgojë unanimisht një mesazh të qartë se e ardhmja e Ukrainës është brenda familjes evropiane,” tha ai.
Kryeministri grek bllokoi pas dyerve të mbyllura të samitit diskutimet për Shqipërinë përsa kohë që autoritetet shqiptare nuk lejuan betimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri.
Këshilltarja diplomatike e Mistotakis Aristotelia Peloni u tha mediave në Athinë se çështja Beleri është një “gjemb” në marrëdhëniet me Shqipërinë.
“Vendi ynë po flet me të gjithë ne BE dhe shpreson se do të ketë një progres në rastin e marrjes së detyrës nga Fredi Beleri, në mënyrë që procesi i anëtarësimit të vendit fqinj të mund të vazhdojë. Çështja e marrjes së detyrës nga Fredi Beleris si kryebashkiak i Himares dhe e drejta e tij për një gjykim të drejtë nuk janë një çështje dypalëshe Greqi-Shqipëri, por çështje evropiane pasi behet fjale per respektimin e shtetit të së drejtës, që është kurora e procesit të anëtarësimit ne BE.”
Një tjetër mesazh i ashpër u përcoll në televizionin shtetëror grek nga Ministri i zgjedhur nga Mitsotakis për punën dhe sigurimet shoqërore Adonis Georgiadis qe madje e konsideroi thelbësisht të gabuar qëndrimin e kancelarit gjerman Soltz
“Gjermania mund të reagojë sepse çdo vend ka mendimin e vet brenda Bashkimit Europian, por vendimet duhet të merren unanimisht. Gjermania nuk mund t’i imponojë askujt opinionin e saj dhe këtë e di shumë mirë. Ajo që kërkon Greqia është që të mos respektohen rregullat procedurale që Shqipëria është angazhuar ti respektojë për t’u bërë anëtare e BE-se. Greqia e kishte të bërë të qartë se nëse çështja e Belerit nuk zgjidhej, nuk do të lejonte nisjen e negociatave pasi Shqipëria duhet qe të mbajë angazhimet e saj për t’u bërë një shtet ligjor normal”
I pyetur nëse i bën përshtypje që mes perspektivës europiane dhe Himarës, Edi Rama tani për tani po zgjedh këtë të fundit, z.Georgiadis tha:
“Nuk më bën shumë përshtypje, sepse për një lider që është mësuar të drejtojë një vend në mënyrë alfa sespse antarësimi i Shqipërisë në BE do të thotë me të vërtetë se ai do të humbasë shumë nga fuqitë që ka. Zoti Rama mund të mendojë se mund të bëjë çfarë të dojë në Shqipëri dhe ndoshta mundet, por anëtarësimi në BE nuk është një letër boshe.
Z. Rama duhet të marrë vendimin që në Shqipëri të mos bëjë më atë që do, por atë që thonë ligjet. Gjithsesi ndonjëherë liderët mësohen t’i thonë gjërat dhe më pas t’i ndryshojnë ato siç qe rasti me zotin Erdogan. Nëse Shqipëria nuk respekton të drejtat e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, nuk do të avancojë në Evropë.”
Vetë kancelari Scholz nuk arriti të bindë Greqinë të heqë veton ndaj Shqipërisë dhe ky qëndrim po ashtu shënoi edhe një nga dështimet e presidencës spanjolle në samitin e fundit për këtë vit të liderëve evropiane.