Gjykata e Janinës në Greqi ka vendosur të rrëzojë kërkesën e prokurorisë shqiptare për ekstradimin e Laert Haxhiut.

Haxhiu do të qëndrojë në burg me akuzat vetëm për largim nga vendi i aksidentit dhe prishje të qetësisë publike. Të dyja vepra penale që i ka kryer teksa i largohej patrullës së Policisë greke.

Por megjithatë, pavarësisht vendimit për refuzim të ekstradimit, prokuroria themelore e Janinës pritet ta Apelojë vendimin në Gjykatën e Apelit, duke kërkuar ekstradimin e Laert Haxhiut në Shqipëri.

Laert Haxhiu, një nga të shumëkërkuarit e drejtësisë shqiptare, është arrestuar në qytetin e Janinës në Greqi në maj të këtij viti.

30-vjeçari, i konsideruar nga Policia e Shtetit si një nga 5 më të kërkuarit në vend që prej vitit 2017, është dënuar për vrasje të mbetur në tentativë me 18 vjet burgim për një ngjarje të regjistruar në 2016 dhe është në gjykim, në Gjykatën e Posaçme për vrasjen e dyfishtë në Lushnjë në 2017, ku humbën jetën Zamir Latifi e Jurgen Hoxha, si dhe u plagos Marjus Xhepexhiu.