Gjykata e Posaçme dënoi kryebashkiakun e Kuçovës, Kreshnik Hajdarin me 9 muaj burg, që i konvertohet me 150 orë punë në komunitet.

“Nuk i ikën e drejta për të ushtruar detyrën si kryebashkiak”, u shpreh avokati i Hajdarit, Theodhori Sollaku pas dhënies së vendimit nga GJKKO.

Hajdari kërkoi gjykim të shkurtuar në 10 janar kur Gjykata e Posaçme vendosi të kalojë për gjykim dosjen ndaj tij. Prokuroria e Posaçme e akuzoi Hajdarin për falsifikim të formularëve.

Sipas SPAK-ut, Hajdari nuk ka deklaruar në formular dënimin e tij të marrë në Greqi për kalim të jashtëligjshëm të kufirit në vitin 1999.

Më 15 nëntor të vitit të kaluar Hajdari u mor i pandehur nga Prokuroria e Posaçme. Më 14 nëntor të 2023, Hajdari i shpëtoi heqjes së mandatit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, u shpreh se nuk ka një shkak ligjor që t’i ndërpritet mandati Hajdarit, edhe pse nuk deklaroi në formularin e dekriminalizimit, dënimin në Greqi.

Në fillim të muajit nëntor të 2023, drejtësia greke i përcolli Ministrisë shqiptare të Drejtësisë, një vendim që faktonte se kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari, është dënuar nga gjykata e Janinës, ndërkohë që në formularin e vetëdeklarimit ka thënë se nuk është i dënuar.

Gjykata në Janinë e ka gjetur fajtor Hajdarin për hyrje në territorin grek në mënyrë të paligjshme dhe e ka dënuar në 23 qershor të vitit 1999 me “masë riedukuese të qortimit”.