Qeveria e re gjermane njoftoi sot se muajin e ardhshëm hiqen masat kufizuese antikovid në pjesën më të madhe të tyre.

“Shpresoj se në mars shumë nga masat mbrojtëse do të tërhiqen”, tha Ministri i Drejtësisë Marco Buschmann në një intervistë për gazetën “Rheinische Post ”, të publikuar të mërkurën (2 shkurt).

Buschmann tha se sipas parashikimeve nga Instituti Kombëtar për Kontrollin e Sëmundjeve, pritet ulje e infeksioneve.

Ministri megjithatë ka paralajmëruar se gjërat mund të ndryshojnë nëse variante të reja të koronavirusit zhvillohen.

Në Gjermani, vendosja e masave kufizuese gjatë pandemisë ka qenë në dorë të secilit prej 16 shteteve edhe pse qeveria federale takohet me udhëheqësit e shteteve për t’u koordinuar për rregullat e shëndetit publik.

Kancelari Olaf Scholz pritet të takohet me liderët rajonalë më 16 shkurt. Në takimin e tyre të fundit më 24 janar ata ishin pajtuar që të qëndrojnë në linjën që ishin sa i përket masave.

Një numër kufizimesh mbeten në fuqi në përpjekje për të frenuar një valë të re infeksionesh të nxitura nga varianti më i transmetueshëm, Omicron.

Disa vende, si klubet e natës, mbeten të mbyllura, ndërsa restorantet, baret dhe objektet e tjera duhet të kontrollojnë nëse klientët janë vaksinuar ose shëruar përpara se të hyjnë.

Njerëzit të cilët kanë marrë vaksinën e tretë janë të përjashtuar nga kërkesa e testimit.

Individëve të pavaksinuar përgjithësisht u ndalohet hyrja në restorante, bare dhe shumë dyqane.