Pas kërkesave të ardhura nga një pjesë e Federatave Shqiptare Sportive mbi disa ndryshime të propozuara për Ligjin e Sponsorizimit dhe bastet sportive, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi zhvilloi një dëgjesë me Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka dhe përfaqësues të kësaj federate.
Ministrja e Sportit tha se e përjashton kategorikisht “përsëritjen e katrahurës së sallave të bixhozit, bingove e basteve, si dhe pasojat negative të këtij fenomeni social në familjet shqiptare, por ndërkohë do të dëgjojë më shumë për mundësinë e formalizimit të tregut digjital”.
“I kam ndjekur vazhdimisht me shumë vëmendje diskutimet e fundit nga përfaqësues të ndryshëm të komunitetit të sportit në lidhje me çështjen e rihapjes së basteve sportive.
Natyrisht që pretendimet e tyre për tregun e zi të basteve nuk janë pa bazë, madje ka pasur edhe operacione policore në këtë drejtim. Por ndërkohë ne jemi të vetëdijshëm që në të gjithë botën, madje edhe në vendet më të zhvilluara, problemi i tregut të zi digjital të basteve sportive është shumë i ndjeshëm,” – thekson Kushi.