Që prej orës 10:00 në Gjykatën e Elbasanit ka nisur seanca gjyqësore ndaj Sokol Mjacajt, të dënuarit përjetë dhe 12 zyrtarëve të burgut të Peqinit.

Në foto shfaqet Sokol Mjacaj, i cili ndodhet brenda ‘kafazit’ të qelqtë në gjykatë me pranga në duar, i rrethuar nga efektivë policie. Pritet që gjykata të vendosë masën e sigurisë për Mjacajn.

Ndërkohë prokurorët kanë kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për vrasjen dhe plagosen e kryer së fundmi në burgun e Peqinit, edhe pse ai është dënuar më herët me burg përjetë.

Mësohet se Mjacaj nuk ka dashur të fotografohet apo filmohet nga gazetarët.

Si ndodhi ngjarja në burgin e Peqinit? 

Prokuroria Elbasan njoftoi se pas hetimeve ka rezultuar se Sokol Mjacaj ka qenë i armatosur për më shumë se 20 ditë në burg dhe armën e mbante me vete në zona të ndryshme të burgut.

Sipas prokurorisë, rezulton se Sokol Mjacajt nuk i është kryer procedura standarde e kontrollit fizik në burg, ndaj ai ka lëvizuar edhe i armatosur nëpër burg.

Ndërkohë në njoftim theksohet se për të shtënat me armë, e cila rezultoi me vrasjen e një të burgosuri, zyrtarët e burgut nuk kanë njoftuar policinë e Elbasanit dhe Peqinit.

Për shkeljet në këtë institucion është dhënë urdhër-ndalimi për 12 zyrtarë, mes të cilëve edhe drejtori i burgut, Kamber Hoxha.

Mjacaj akuzohet se vrau me armë një të dënuar me burg përjetë, Arben Lleshin, dhe plagosi shokun e këtij të fundit, Indrit Shaqjën.