Logoja e partisë së Pedro Sanchez në Spanjë është kthyer në një ‘mollë sherri’ mes partisë spanjolle Partia Socialiste e Punëtorëve Spanjollë (PSOE) dhe Partisë Socialiste të Shqipërisë. Mediat spanjolle shkruajnë se logoja e PS-së është totalisht e kopjuar nga PSOE, pasi grushti dhe trëndafili janë të njëjtë.

E vetmja gjë që ndryshon mes tyre janë ngjyrat. PSOE e ka të kuqe, ndërsa PS-ja me lejla. Logoja fillestare është krijuar nga dizajneri Cruz Novillo në vitin 1977. Në një prononcim për Graffica, zyrtarë të partisë së Sanchez kanë treguar se nuk kanë dhënë asnjë autorizim për të përdorur logon.

Artikulli i plotë

Logoja PSOE e krijuar nga Cruz Novillo është kthyer në lajm. Partia Socialiste e Shqipërisë po përdor krijimtarinë e stilistit tonë ikonë pa pëlqimin zyrtar të PSOE. Nga forca e Pedro Sánchez-it na kanë siguruar se nuk janë në dijeni të transferimit të të drejtave të përdorimit të logos së partisë. Tani mbetet për t’u parë nëse do të ndërmarrin veprime ligjore. Edhe pse logoja është qartazi grushti dhe trëndafili i Cruz Novillo, nga PSOE ata shpjegojnë se ngjyra që kanë përdorur nuk është e njëjtë. Siç shihet në faqen e saj, ngjyra zyrtare e Partisë Socialiste të Shqipërisë është vjollca. Ishte viti 1977 kur politikani socialist Guillermo Galeote porositi Pepe Cruz Novillo të hartonte një logo për PSOE. Më shumë se dyzet vjet më vonë, simboli ikonë i kësaj partie spanjolle, i përbërë nga një dorë që mban një trëndafil, vazhdon të jetë një nga logot më përfaqësuese në historinë politike spanjolle.

E drejta e autorit e logos, e cila i përket PSOE, menaxhohej përmes një kontrate. “Babai im është përpjekur të kujtojë, por ka kaluar një kohë e gjatë. Ajo që mund të themi është se ai ishte shumë i vetëdijshëm që tarifat ishin shumë të ulëta. Ai e dinte që në momentin që e krijoi se do të kishte rëndësi, se do të zgjaste, por nuk i mban mend kushtet e kontratës,”- shpjegoi Pepe Cruz Jr për Gràffica.

Nuk është hera e parë që kjo logo përfshihet në një rast plagjiature. Në vitin 2017, zinxhiri amerikan i modës Urban Outfitters përdori grushtin dhe trëndafilin si pjesë të një prej bluzave të tyre. Në atë kohë, Pepe Cruz Jr e siguroi Gràfficën se “nuk është e drejtë të përdoret një vepër pa përmendur autorin”.