Personat që shihni në foton e mësipërme janë Arben Zogu, 46 vjeç bashkë me dy djemtë e tij Rubensin 19 vjeç dhe Estin e vogël 14 vjeç si dhe nipin e tij Melis Zogu, vetëm 20-vjeç.

Ata humbën jetën pasditen e djeshme tragjikisht, ku u mbytën në liqenin e Banjës në Gramsh, teksa kishin shkuar për t’u larë.

Nga të dhënat paraprake dyshohet se njëri prej tyre ka qenë duke u mbytur dhe njëri pas tjetrit kanë shkuar për t’i shpëtuar, por nuk kanë mundur dhe kanë tërhequr njëri-tjetrin poshtë. Trupat e pajetë u nxorrën pas 90 minutash kërkime nga polumbarët, teksa u gjetën pranë njëri-tjetrit.

Familja Zogu ka hapur dyert e mortit ditën e sotme në fshatin Cingar të Gramshit, për t’u dhënë lamtumirën e fundit familjarëve të tyre. Të tronditur nga kjo ngjarje e rëndë, të afërm dhe miq kanë shkuar për ngushëllim në familjen Zogu, teksa në orën 17:00 katër viktimat do të përcillen për në banesën e fundit.

“Ngjarje e rëndë shumë është. Krim është. U mbyll dera e një familjeje, tjetri një çun pati. Merreshin me bujqësi”, u shpreh një banor.

“Jam shokuar kur e kam dëgjuar dhe e njoh mirë kush është. Banja për t’u larë nuk është. Shteti të bëjë kufizime, asgjë më tepër. Të paktën mos të ndodhin gjëra të tjera më sepse kanë ndodhur shumë në këtë pjesë liqeni”, tha një banor tjetër.

Banorët e fshatit Cingar tregojnë për mediat se në liqen ekzistojnë disa gropa të thella që janë krijuar gjatë ndërtimit të HEC-it të Benjës. Ata thonë se ka rreth 10 raste mbytjeje në liqenin e Banjës që prej ndërtimit të HEC-it, teksa i bëjnë apel shtetit që të marrë masa dhe mos përsëriten më tragjedi të tilla.

Kryebashkiaku i Gramshit, Besjan Ajazi ka ngushëlluar familjen Zogu, duke njoftuar se bashkia ka marrë vendim që të mbulojë shpenzimet e funeralit për familjen Zogu dhe premton një mbështetje në vazhdimësi.