Laert Haxhiu kishte kaluar kufirin shqiptaro-grek dhe po tentonte të futej në Greqi.

Të paktën ky është në pamje të parë motivi kryesor pse një nga personat më të kërkuar në Shqipëri ndodhej në zonën kufitare të Janinës.

Informacionet e orëve të fundit bëjnë me dije se policia greke ka tentuar mbrëmjen e së hënës të ndalojë një automjet në fshatin Eleousa, Janinë, në afërsi të kufirit greko-shqiptar. Drejtuesi i mjetit tip BMW X6 nuk i bindet policisë, shton shpejtësinë dhe largohet.

Gjatë ndjekjes godet tre mjete të tjera dhe pasi çan gomën në një bordurë, bllokohet në semafor në një rrugë të Janinës me airbag-ë të hapur. Forcat e policisë kanë ndërhyrë menjëherë duke vënë më pranga tre personat që ndodheshin në makinë.

Pas shoqërimit në Komisariatin e Janinës, ka rezultuar se njëri prej tyre ishte shtetasi shqiptar Laert Haxhiu 31 vjeç nga Lushnja, mbajtës edhe i identitetit fals Mikis Askalidis, 32 vjec. Haxhiu rezulton i dënuar në Shqipëri me 18 vjet burg për një vrasje dhe i kërkuar për dy të tjera.

Ai ishte në mjet së bashku me dy shqiptarë të tjerë, edhe këta emra të njohur për autoritetet shqiptare e greke, njëri prej të cilëve një 22-vjeçar i kërkuar nga autoritetet e vendit tonë.

Ndërkohë drejtuesi i mjetit të ardhur enkas nga Athina për të marrë dy të kërkuarit në kufirin e gjelbër, u identifikua si Juxhin Barjami nga Delvina.

Atyre iu sekuestruan edhe 1400 Euro.

ImageImage