Dy këmbësore që po qëndronin në anë të rrugës në aksin Milot-Lezhë janë përplasur nga një makinë tip “Opel Astra”.

Bëhet me dije se automjeti pasi përplasi këmbësorët, mori përpara edhe një tendë ku shiteshin fruta-perime.

Këmbësoret që u përplasën nga makina janë dërguar në Spitalin e Lezhës dhe po marrin ndihmë mjekësore.

Ato po prisnin në anë të rrugës për të marrë transportin publik.

Sipas të dhënave paraprake, automjeti Opel humbi kontrollin dhe doli nga rruga për shkaqe të panjohura deri më tani.

Shoferi 21-vjeçar me iniciale E.M. është shoqëruar nga policia për t’u pyetur lidhur me rrethanat e aksidentit.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 18:00, në aksin rrugor Tiranë – Milot, në zonën e quajtur Fushë Milot, shtetasi E. M. 21 vjeç, ka humbur kontrollin mbi drejtimin  e mjetit me të cilin po lëvizte duke dalë nga rruga.

Për pasojë, në momentin e daljes nga rruga, ka përplasur dy shtetase këmbësore që kanë qenë në anë të rrugës, të cilat janë dërguar në spital për ndihmën e nevojshme mjekësore.

21-vjeçari është shoqëruar në ambientet e policisë për veprime të mëtejshme procedurale hetimore.

Grupi hetimor në vendin e ngjarjes vazhdon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.