Një 40-vjeçare shqiptare gjetur e vrarë me thikë në Athinë.
40-vjeçarja Enkelejda Danaj, është gjetur në rrugë me plagë në bark, ndërsa pranë saj kishte edhe thikën me të cilën është vrarë.
Grupi hetimor deri më tani ka përjashtuar pistën e vrasjes për grabitje, pasi 40-vjeçares shqiptare i është gjetur çanta e paprekur me sendet personale, portofoli dhe celulari.
Mediat greke shkruajnë se autor i vrasjes dyshohet se është ish-bashkëshorti i saj.
Sipas mediave vendase pas vrasjes fshihet një histori dhune në familje, pasi 40-vjeçarja kishte denoncuar 3 herë më parë dhunën nga bashkëshorti.
Denoncimi i parë nga Enkelejda Danaj është bërë më 3 prill 2013, ku gruaja ka denoncuar ish-partnerin e saj për dhunë në familje. Më pas burri u arrestua, por është liruar.
Kallëzimi i dytë është bërë më 18 shtator 2022, ku 40-vjeçarja kishte denoncuar burrin e saj se e kërcënonte dhe e dhunonte. Burri u arrestua sërish, por është lënë i lirë nga drejtësia.
Mediat greke theksojnë se kishte një urdhër gjykate që e ndalonte Eduard Danaj, të jetonte në një shtëpi me bashkëshorten, por ajo e kishte lejuar vetë që në vitin 2018.
Më datë 7 maj 2024, viktima ka bërë padi ndaj ish-partnerit të saj për dhunë në familje (kanosje, lëndim fizik dhe fyerje), ndërsa të premten e 17 majit kishte një seancë dëgjimore në gjyq.
Burri i saj po shqiptar Eduart Danaj është shpallur në kërkim nga policia, ndërsa mësohet se çifti ishte në proces divorci.