Ka ndërruar jetë në spital pacienti i aksidentuar Tahir Bici, nga Dragostunja e Librazhdit, i cili mbeti i plagosur në aksidentin e ndodhur në vendin e quajtur “Ura e Mërkurit”, në aksin Librazhd-Prrenjas, në Qukës.
Ngjarja ndodhi dy ditë më parë. Në aksident u përfshinë dy automjete dhe u plagosën gjashtë persona.
Bëhet me dije se 54-vjeçari Tahir Bici ishte me profesion mësues, ndërsa nuk arriti të mbijetonte dhe ndërroi jetë në spital.
Bici ishte njëri prej të plagosurve më rëndë, që është transportuar për në repartin e kirurgjisë së Spitalit të Elbasanit, për shkak të frakturave të shumta që i janë shkaktuar nga aksidenti.
Policia tha se një automjet dyshohet se ka humbur drejtimin e lëvizjes, është përplasur me një tjetër dhe ka dalë jashtë rruge, duke u përplasur me bordurën anësore.